LAJMI I FUNDIT:

Në 23 vjetorin e vrasjes, LDK bën homazhe te varri i Xhemail Mustafës

Në 23 vjetorin e vrasjes, LDK bën homazhe te varri i Xhemail Mustafës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe zyrtarë të tjerë të kësaj partie, kanë bërë homazhe pranë varrit të Xhemail Mustafës, në 23 vjetorin e vrasjes së tij.

Abdixhiku veprimtarin Mustafa e ka cilësuar ikonë të lëvizjes politike të viteve të 90-ta.


‘’Xhemail Mustafa ishte prijetar i shumë proceseve në kohët më të vështira të Kosovës, mik i ngushtë i presidentit Ibrahim Rugova e këshilltar politik, atdhetar, profil shumë dimensional i shkrimtarit, publicistit e gazetarit. Roli e po ashtu edhe kontributi i tij në rrugën për liri dhe pavarësi është i paharrueshëm për LDK-në dhe historinë e Kosovës.

Vrasja e Xhemail Mustafës vazhdon të mbetet ende goditje e rëndë për familjen, Lidhjen Demokratike dhe demokracinë e Kosovës”, ka thënë kreu i LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të ndalet asnjëherë së kërkuari zbardhjen e vrasjes së Xhemail Mustafës, por edhe bashkëpunëtorëve të tij.

“Qoftë i përhershëm kujtimi për jetën dhe veprën e Xhemail Mustafës!”, thuhet në njoftimin për media.

Vrasja e Mustafës ishte vrasja e tretë politike e pas luftës së Kosovës dhe tronditi skenën politike. /Telegrafi/