LAJMI I FUNDIT:

Takimi në Ohër, Kurti dhe Vuçiq do të bien dakord për një aneks dhe planin e zbatimit të marrëveshjes

Takimi në Ohër, Kurti dhe Vuçiq do të bien dakord për një aneks dhe planin e zbatimit të marrëveshjes

Takimi i radhës i liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut do të mbahet më 18 mars në Ohër, bëri të ditur i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ky do të jetë një takim ku liderët do të diskutojnë planin e zbatimit që është pjesë integrale e Propozimit Evropian – Marrëveshjes drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.


Skenari i dëshiruar për palën evropiane është që ky të jetë një takim ku liderët do të bien dakord për një aneks të planit që përfshin një kalendar të qartë se kur duhet të përmbushen të gjitha elementet e marrëveshjes.

Diskutimi për propozimin evropian konsiderohet i mbyllur për palën evropiane, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e mbajtur më 27 shkurt në Bruksel, u pajtuan për tekstin e propozimit të BE-së.

Kurti ndërlidh takimin me Vuçiqin në Kumanovë me nënshkrimin e marrëveshjes që i dha fund ish-Jugosllavisë
Lexo po ashtu Kurti ndërlidh takimin me Vuçiqin në Kumanovë me nënshkrimin e marrëveshjes që i dha fund ish-Jugosllavisë

Kurti, në Forumin Ekonomik në Shkup, ka përmendur Kumanovën si vendin ku u nënshkrua kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviqit dhe hyrja e forcave të NATO-s, si elemente që mund të kenë ndikuar që shefi i Bashkimit për Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, të përzgjedh Maqedoninë e Veriut si lokacion për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Mos të harrojmë se më 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë u nënshkrua kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviqit dhe hyrja e forcave të NATO-s. Mendoj se këto elemente simbolike të Maqedonisë së Veriut ishim të rëndësishme për Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, që të na ftoj në Maqedoni për takimin e radhës të nivelit të lartë”, është shprehur kreu i ekzekutivit kosovar.

Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Kurti ka thënë se kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet njohjes së ndërsjellë.

Nuk dihet arsyeja se pse është ndërruar vendi i takimit Kurti-Vuçiq.