LAJMI I FUNDIT:

Ndryshimi i regjimit në Teheran është një ide e mirë, por nëse analizoni historinë është pothuajse i pamundur

Ndryshimi i regjimit në Teheran është një ide e mirë, por nëse analizoni historinë është pothuajse i pamundur
Një rrugë e bllokuar dhe zjarret pas sulmeve izraelite në veriperëndim të Teheranit në Iran, më 15 qershor 2025 (foto: Atta Kenare/AFP/Getty Images)

Askush nuk e vë në dyshim ligësinë e qeverisë iraniane, por nëse harrojmë tragjeditë e ndërhyrjeve të mëparshme, do të bëjmë të njëjtat gabime.

Nga: Martin Kettle / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Në prag të Luftës së Gjirit në vitin 1991, një gazetar televiziv i bëri një pyetje komandantit amerikan Norman Schwarzkopf: a do ta përmbyste ai Saddam Husseinin e Irakut? “Stormin’ Norman” u përgjigj me saktësi të paharrueshme: “E lehtë për t’u thënë. E vështirë për t’u bërë.”


Schwarzkopf e dinte për çfarë po fliste. Gjenerali ishte student i përjetshëm i rajonit të Lindjes së Mesme – kishte kaluar disa nga vitet e fëmijërisë në Teheran – dhe i historisë ushtarake. Në fakt, strategjia e tij e suksesshme në luftën tokësore për të mposhtur Saddamin në Kuvajt ishte me qëllim e modeluar sipas taktikave anësore, të përdorura me efekt shkatërrues, nga komandanti kartagjenas Hanibali për të mposhtur romakët në Kanë në vitin 216 p.e.s.

Ndryshimi i regjimit, që tani përmendet gjithnjë e më shpesh në lidhje me Iranin, është mishërimi i politikës së rrezikshme “e lehtë për t’u thënë, e vështirë për t’u bërë”. Bota do të ishte pa dyshim një vend më i mirë pa regjime shtypëse dhe agresive si ai në Teheran. Por, nuk ka ndonjë levë që mund të tërhiqet lehtësisht, as ndonjë buton që mund të shtypet e që zëvendëson menjëherë një tirani të qëndrueshme me një lumturi të qëndrueshme. Të shkatërrosh nuk është njësoj si të rindërtosh.

Përkundrazi, ndryshimi i regjimit është një frazë që shumë shpesh fsheh një mori problemesh dhe mjerimesh të vazhdueshme, shumica e të cilave përjetohen më ashpër nga njerëzit e zakonshëm regjimi i të cilëve është ndryshuar. Në Perëndim, qeveritë moderne dhe publiku i tyre janë detyruar ta mësojnë këtë në mënyrën më të vështirë. Pushtimi i Afganistanit në vitin 2001 dhe lufta në Irak në vitin 2003 vazhdojnë të përndjekin politikën tonë edhe pas shumë vitesh. Rezultati i shtrembëruar i të ashtuquajturës Pranverë Arabe i viteve 2010-2011 është një monument i zymtë i të njëjtit naivitet.

Megjithatë, është e drejtë dëshira për t’u çliruar nga regjimi teokratik i Iranit. Irani është një nga vendet më represive në botë. Arrestimet dhe gjykimet janë arbitrare. Tortura është endemike, përfshirë rrahjet me kamxhik dhe amputimet. Ekzekutimet janë të zakonshme. Shtypja e grave, pakicave dhe migrantëve është e institucionalizuar. Aktiviteti politik dhe shprehja e lirë janë pothuajse të pamundura.

Dhe, ligësia e egër e regjimit nuk ndjehet vetëm nga iranianët. Republika Islamike e ka eksportuar autoritarizmin e saj për vite me radhë, përmes ndërmjetësve si Hamasi në Palestinë dhe Hezbollahu në Liban, dhe tani duke furnizuar Rusinë në Ukrainë. Ajo ka financuar dhe mbështetur terrorizmin në Perëndim. Dëshira e saj për armë bërthamore – me të cilat do të kërcënonte Izraelin, shkatërrimin e të cilit e kërkon – është e pamëshirshme.

Pra, nëse paraqitet mundësia, pse të mos të tentohet zëvendësimi i një regjimi të tillë? Pse nuk duhet mbështetur rrëzimin e tij, veçanërisht në një moment kur Hamasi dhe Hezbollahu, si edhe Lëvizja Huti në Jemen, janë ushtarakisht të dobësuar dhe vendi po ndien pasojat e sanksioneve ndërkombëtare? Ditët e para të sulmit izraelit të Benjamin Netanyahut ndaj Iranit, duket se i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme infrastrukturës bërthamore dhe ushtarake të regjimit, dhe kanë zbuluar kufizimet në aftësinë e Iranit për t’u kundërpërgjigjur dhe për t’u mbrojtur. Prandaj, nëse jo tani, kur?

Tundimi është shumë real. Në politikë, ashtu si në luftë, guximi për të kapur momentin mund të jetë vendimtar. Bismarcku e konsideronte këtë si një nga provat përfundimtare të udhëheqjes, dhe ai u tregua mjeshtër në praktikë. Shekspiri shprehu të njëjtën ide në Jul Cezari, kur Kasit i thuhet: “Ka një valë në punët e njerëzve / Që, nëse kapet në baticë, të çon drejt fatit.” Por, mbani mend çfarë ndodhi me Kasin në fund. Ai humbi.

Kështu, rrëzimi i regjimit iranian do të largonte një kërcënim ndërkombëtar – veçanërisht për Izraelin, por edhe për ato kombe që janë dërrmuar dhe shkatërruar nga ndërmjetësit e Iranit. Përhapja bërthamore do të vonohej. Kërcënimi terrorist do të ndërpritej. Do të ishte një lajm i keq për Rusinë e cila po konsumon sasi të mëdha të pajisjeve ushtarake iraniane, përfshirë dronët. Do të ishte një rreze shprese për Ukrainën. Lehtësimi për tregtinë dhe transportin ndërkombëtar do të ishte i madh. Çmimet e mallrave mund të uleshin ndjeshëm.

Prandaj, nuk do të ishte e drejtë të hidhen krejt poshtë këto argumente, veçanërisht nëse arsyet kryesore për ta bërë janë se Netanyahu këtë po e kërkon – ose për shkak të zemërimit ndaj sulmeve të Izraelit në Gazë, sado të tmerrshme që pa dyshim janë. Do të ishte po aq vizion dritëshkurtër të kundërshtohej ndryshimi i regjimit iranian vetëm sepse kjo politikë mund të përqafohet përfundimisht nga një Shtëpi e Bardhë e paparashikueshme e Donald Trumpit. Një armik i Trumpit nuk është miku ynë.

Megjithatë, ka arsye më serioze dhe të respektueshme për të treguar kujdes. E para është se shkatërrimi i regjimit nuk nënkupton ndryshim të suksesshëm regjimi. Është e mundur që Izraeli, me ose pa mbështetjen e drejtpërdrejtë ushtarake të Trumpit, t’i shkaktojë Iranit mjaftueshëm dëme sa ta bëjë të pamundur funksionimin e regjimit. Por, çfarë do të ndodhte më pas? As Izraeli dhe as ShBA-ja nuk kanë ndonjë synim për të pushtuar një Iran të mundur, në mënyrë që ta qeverisin atë. Mësimet e zymta të Afganistanit, Irakut dhe Libisë janë ende të gjalla. Ky nuk është Berlini i vitit 1945.

Në deklaratën e tij drejtuar Iranit këtë javë, Netanyahu tha se iranianët duhet ta skalitin Iranin e ri. “Ne po e pastrojmë rrugën që ju të arrini objektivin tuaj, që është liria,” u tha ai atyre. Megjithatë, nuk ka asnjë qeveri të supozuar iraniane që pret në prapaskenë. Një regjim i promovuar nga Izraeli do të kishte me siguri i vështirë për të mbijetuar. Një tjetër i mbështetur nga ShBA-ja, që do të lejonte Trumpin dhe aleatët e tij të plaçkitnin dhe të pasuroheshin në kurriz të Iranit, nuk do të bënte asgjë më mirë. Opozita ndaj shtetit teokratik mund të jetë vërtet e përhapur deri në 80 për qind, siç pretendon Netanyahu, por në këtë pikë ajo është e nëndheshme, e paformuar dhe e përçarë.

Një Iran i mundur do të ishte një shtet i dobësuar, por ende jashtëzakonisht i madh, krenar dhe i rëndësishëm. Do të ishte i pasur me burime natyrore, një superfuqi energjetike, dhe ende i pajisur mirë nga ana ushtarake. Përbërja e tij etnike dhe fetare do të kapte mundësinë për të kërkuar të drejtat dhe pretendimet e veta. Ndjekësit dhe aparatçikët e regjimit të vjetër do të ishin gjithsesi të pranishëm kudo, sidomos në forcat e armatosura dhe në polici. Këta janë pikërisht përbërësit që mund të sinjalizojnë një shpërthim të paqëndrueshmërisë qytetare, ndoshta që do të zgjasë për vite me radhë.

Mos harroni gjithashtu se Irani vazhdon të mbetet një regjim revolucionar. Sundimtarët që vijnë në pushtet duke përmbysur plotësisht paraardhësit e tyre, siç bënë islamistët iranianë në vitin 1979, mund të bëhen regjime paranojake. Ata mund të mos dorëzohen kurrë, siç insistoi ajatollah Khamenei dje. Por, një republikë islamike e dobësuar dhe e zemëruar duket po aq e mundshme sa një e zëvendësuar.

Historia na tregon se ndryshimi i regjimit për regjimet revolucionare është një punë veçanërisht kaotike. Regjimet e përmbysura mund të kenë qenë të vështira për t’u vendosur fillimisht. Por, ato që i zëvendësojnë nuk e kanë më të lehtë. Mendoni për Francën në vitin 1815 ose për Rusinë në vitin 1991. Gjermania u shpëtua nga gremina e nazizmit vetëm përmes një kombinimi të marrëveshjes së qartë ndërkombëtare, ndihmës ekonomike amerikane, pushtimit ushtarak dhe kompromiseve pragmatike me institucionet gjermane. Rezultati ishte një triumf kolektiv. Por, ishte një ngjarje jashtëzakonisht e rrallë. Asgjë e ngjashme nuk është në horizont për Iranin. Kujdes çfarë dëshironi. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Duhet të presim deri ditën e hënë - Trump paralajmëron

Duhet të presim deri ditën e hënë - Trump paralajmëron "mesazh të fuqishëm" kundër Putinit

Evropa
Gjakovë, punëtori bie pa ndjenja pas pune dhe vdes

Gjakovë, punëtori bie pa ndjenja pas pune dhe vdes

Rajoni i Gjakovës
Xabi Alonso kërkon një transferim prej 100 milionë eurosh pas humbjes ndaj PSG-së

Xabi Alonso kërkon një transferim prej 100 milionë eurosh pas humbjes ndaj PSG-së

Premier League
Kosova dhe SHBA thellojnë partneritetin, Osmani: Bashkëpunimi në përputhje me vizionin e Trumpit

Kosova dhe SHBA thellojnë partneritetin, Osmani: Bashkëpunimi në përputhje me vizionin e Trumpit

Politikë
Rodrygo ka marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij tek Real Madridi

Rodrygo ka marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij tek Real Madridi

Ndërkombëtare
Ish-objektivi i Man Utd dhe Chelseat që pritej të thyente rekordin britanik të transferimeve, tani vlen vetëm 25 milionë euro

Ish-objektivi i Man Utd dhe Chelseat që pritej të thyente rekordin britanik të transferimeve, tani vlen vetëm 25 milionë euro

Premier League
Kalo në kategori