LAJMI I FUNDIT:

Ndryshimet kushtetuese, Osmani dhe Mickoski me deklarata pro dhe kundër

Ndryshimet kushtetuese, Osmani dhe Mickoski me deklarata pro dhe kundër

Maqedonia e Veriut nesër në Bruksel do të mbajë Konferencën e parë Ndërqeveritare me BE-në.

Menjëherë pas kësaj fillon skriningu i cili do të zgjasë një vit e gjysmë dhe pas përfundimit të atij procesi është planifikuar konferenca e radhës ndërqeveritare, por paraprakisht duhet bërë ndryshimet në Kushtetutë.

Këtu shtrohet pyetja se si do të sigurohen 2/3 e deputetëve në Kuvend!?

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani shprehet i sigurt se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin me këtë përbërje parlamentare, edhe për kundër faktit që deputetët e OBRM-PDUKM-së, kanë nënshkruar vendime noteriale se nuk do të votojnë.

Shtoi se kjo që po bën tani opozita është vetëm për të fituar pikë politike.

“Unë gjatë këtyre dy viteve në të cilin kam punuar mbi këtë projekt kam biseduar me të gjitha partitë politike përfshirë edhe opozitën dhe e di saktë edhe qëndrimin e tyre sa i takon ndryshimeve kushtetuese lidhur me inkuadrimin e komuniteteve tjera. Ajo që shohim sot është politikë partiake, është politikë për të vrapuar pas emocioneve, pas pikave politike, por besoni unë di qëndrimin e gjitha partive politike dhe në bazë të atij qëndrimi unë edhe e kam konstruktuar këtë mirë të gjetjes së një zgjidhje”, tha Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme për Tv21.

Por lideri i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski thotë se OBRM-PDUKM nuk do të lejon hapjen e kushtetutës dhe se korniza negociuese mbetet vetëm kornizë e pa miratuar.

“Se nuk do të ndryshohet Kushtetuta flet numri i grupit parlamentar i koalicionit të udhëhequr nga OBRM-PDUKM dhe ato janë 44 deputetët, plus deputet nga opozita që gjithashtu janë kundër idesë për ndryshim të Kushtetutës. Kështu që në këtë moment Qeveria nuk ka 2/3 që do të thotë se korniza negociuese mbetët vetëm kornizë negociuese e pa miratuar”, tha Hristijan Mickoski nga OBRM-PDUKM.

Nëse të gjithë deputetët e shumicës parlamentare përfshirë partitë e vogla që janë në koalicion me LSDM-në, deputetët shqiptarë të opozitës dhe deputet e pavarur si Kastriot Rexhepi dhe Skender Rexhepi votojnë pro ndryshimeve kushtetuese, atëherë shumicës parlamentare i duhen edhe 5 deputetë që të bëj ndryshime kushtetuese.

ASh dhe BESA kanë paralajmëruar mbështetje të ndryshimeve kushtetuese, por me kërkesë që kur të hapet Kushtetuta, të hiqet edhe definicioni 20% për shqiptarët.

Ndryshe sipas protokollit bullgarët duhet të futen vetëm në preambulë dhe në amendamentin 12 të Kushtetutës ku përmenden bashkësitë etnike.