Ndreu: Kemi marrë shumë ankesa për çmimet e shezlloneve, në disa raste pushuesve u janë kthyer paratë


Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar pas ankesave të shumta të qytetarëve për çmimet e shezlloneve në plazhet e Lezhës, duke bërë të ditur se në disa raste janë konstatuar tejkalime të tarifave dhe janë ndërmarrë masa të menjëhershme.
Sipas Ndreut, pas publikimit të numrave të telefonit për denoncime, bashkia është përballur me një fluks të madh ankesash dhe për çdo rast të raportuar po ndërhyn për të trajtuar problematikat konkrete.
Ai theksoi se rreth 66 për qind e vijës bregdetare në Lezhë është plazh publik, ku qytetarët mund ta frekuentojnë pa pagesë ose me tarifa minimale, pasi këto hapësira administrohen nga Lezha Invest.
Ndreu sqaroi gjithashtu se plazhet e hotelerive janë të dedikuara kryesisht për klientët e tyre dhe qytetarët që zgjedhin t’i frekuentojnë duhet të informohen paraprakisht për çmimet dhe vendet e lira.
Kryebashkiaku shtoi se administruesit e plazheve kanë të drejtë të mos lejojnë mbingarkimin e një çadre me më shumë persona sesa parashikon kapaciteti, ndërsa nënvizoi se bashkia nuk ka kompetencë për të përcaktuar çmimet e parkingjeve private.
Sipas tij, publikimi i numrave të telefonit ka ardhur pikërisht për shkak të ankesave të qytetarëve, ndërsa u bëri thirrje pushuesve që shkeljet t’i denoncojnë në kohë reale për të mundësuar ndërhyrje të menjëhershme.
Ndreu bëri të ditur se vetëm gjatë ditës së sotme, pas denoncimeve të qytetarëve, në disa stacione plazhi klientëve u janë rikthyer pagesat e kryera, ndërsa garantoi se bashkia do të vazhdojë monitorimin për respektimin e rregullave dhe mbrojtjen e interesit publik.


































