Komediani dhe aktori Russell Brand u gjend në një situatë të sikletshme gjatë një paraqitjeje në emisionin e Piers Morgan, kur moderatori e sfidoi të gjente dhe të lexonte një pjesë të caktuar nga Bibla.

Brand, i cili së fundmi ka bërë të ditur se është konvertuar në të krishterë, nuk arriti ta gjente citimin e kërkuar, çka krijoi një moment disi të tensionuar gjatë bisedës për besimin e tij të ri.


Morgan i kërkoi Brandit të gjente dhe të lexonte një fragment të njohur nga Letra e parë drejtuar Korintasve. Brand filloi të shfletonte Biblën që mban me vete, por dukshëm po e kishte të vështirë ta gjente pjesën e saktë.

“Ende nuk jam… nuk jam ekspert për këtë”, pranoi ai. “Jam i ri në krishterim, jam i ri në krishterim”, përsëriti, teksa vazhdonte të kërkonte pa sukses faqen.

Pas disa çastesh të sikletshme, Morgan e mori Biblën dhe e lexoi vetë vargun e kërkuar: “Dashuria është e durueshme, dashuria është e mirë. Nuk ka zili, nuk mburret, nuk është krenare”.

Brand reagoi duke thënë se mesazhi është “i mrekullueshëm” dhe theksoi sërish se është vetëm në fillimet e këtij rrugëtimi. “Jam vetëm në fillim të kësaj rruge”, u shpreh ai.

Brand, i cili muajin e kaluar u pagëzua në lumin Thames, shpjegoi se vendimi i tij për t’iu kthyer krishterimit nuk është një akt shoqëror apo politik, por një kërkim për “shpëtim personal”. Ai deklaroi se kjo është përgjigjja e tij ndaj asaj që e quajti “falimentim moral dhe shpirtëror” të botës moderne.

Gjatë intervistës, ai e përsëriti disa herë se “nuk është teolog” dhe se rruga e tij e besimit sapo ka nisur, ndërsa episodi me citimin nga Bibla vetëm sa e konfirmoi se ai është ende fillestar në njohjen dhe studimin e krishterimit. /Telegrafi/

- YouTube youtu.be