Ndjekja penale ndaj Latasit është vjetërsuar, prokurori hoqi dorë nga akuzat për rastin "Total"


Lidhur me rastin e formuar nga ish-Prokuroria Speciale Publike dhe të marrë përsipër nga Prokuroria Themelore Publike-Shkup, e njohur si "Total", Gjykata Penale njofton opinionin se më 27 maj të këtij viti, është nxjerrë aktgjykim me të cilin është rrëzuar aktakuza, pasi Prokurori Publik kompetent është tërhequr nga Aktakuza në tërësi.
"Në procedurën specifike, e cila zhvillohet në këtë gjykatë që nga tetori i vitit 2017, gazetari Dragan Pavloviq-Latas si person fizik dhe tre persona juridikë nga Shkupi akuzohen për veprën penale të "Shmangie Tatimore".
Rasti është nisur nga fillimi disa herë për shkak të ndryshimit të juridiksionit të prokurorit publik dhe marrjes së rastit nga një prokurori në tjetrën, kështu që në seancën e fundit, Prokurori Publik kompetent, në fjalën e tij përfundimtare, hoqi dorë nga ndjekja e mëtejshme penale e të akuzuarve. Gjegjësisht, prokurori, duke i marrë parasysh pretendimet në raportin dhe mendimin e ekspertit, së pari bëri ndryshime në aktakuzë, pas së cilës konstatoi se për dy nga personat juridikë të akuzuar në procedurë, nuk janë përmbushur elementët që përbëjnë përshkrimin ligjor të veprës penale të denoncuar "Shmangie Tatimore", ndërsa për një person juridik dhe të akuzuarin Latas, ndërkohë kishte ardhur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
Për shkak të gjithë kësaj, gjykata veproi në përputhje me dispozitat ligjore dhe e mori vendimin e lartpërmendur.
Vendimi i datës 25.06.2026 është përfundimtar, ndërsa vendimet mbi shpenzimet e palëve janë përgatitur tashmë, dhe sapo të anonimizohet, do të publikohet në faqen e internetit të gjykatës", njoftoi Gjykata Penale.
Rasti “Total” ka të bëjë me shmangien e taksave nga Latas si pronar dhe menaxher i kompanive të shërbimeve të marketingut dhe konsulencës “Total” DOOEL Shkup, “Mediamax” dhe “Total Media Centar” DOOEL Shkup./Telegrafi/




































