LAJMI I FUNDIT:

Ndihmesa që mund të japin shpendët në trajtimin e depresionit

Ndihmesa që mund të japin shpendët në trajtimin e depresionit
(Foto: The Spruce Pets)

Hulumtimet sugjerojnë se mjekët mund të përshkruajnë vizita në vendet ku ka jetë të shpendëve si terapi, në mënyrë që të përmirësohet shëndeti mendor i pacientëve, sepse analizat kanë vërtetuar se dëgjimi, madje edhe shikimi i zogjve ka një efekt pozitiv në shëndetin mendor.

Studimi, i udhëhequr nga ekspertë nga Kolegji Mbretëror në Londër, zbuloi se takimet e përditshme me zogjtë rrisin disponimin e njerëzve me depresion, si dhe të popullatës më të gjerë.


Studiuesit thanë se gjetjet sugjerojnë se vizitat në vende me florë të pasur dhe më shumë zogj, si parqet dhe zonat përreth lumenjve, mund të përshkruhen nga mjekët për të trajtuar problemet e shëndetit mendor.

Gjetjet e tyre theksojnë gjithashtu nevojën për mbrojtje më të mirë të mjedisit dhe përmirësim të biodiversitetit në zonat urbane, periferike dhe rurale për të ruajtur habitatet e shpendëve.

Studimi, i botuar në revistën Scientific Reports, gjurmoi takimet ditore të 1292 pjesëmarrësve me zogjtë vitin e kaluar përmes një aplikacioni të quajtur Urban Mind – transmeton KP.

Gjatë dy javësh, pjesëmarrësit, nga Britania e Madhe, Evropa, SHBA, Kina dhe Australia, u nxitën në intervale të rastësishme të regjistronin se si ndiheshin, duke përfshirë nëse ishin të lumtur apo të stresuar, ndërsa pemët dhe zogjtë ishin rreth tyre.

(Foto: BBC)

Studiuesit zbuluan se rezultatet mesatare të shëndetit mendor të pjesëmarrësve u rritën kur ata patën mundësinë të shikonin ose dëgjonin zogjtë, përfshirë ata të diagnostikuar me depresion.

Ky efekt i dobishëm fillon tashmë gjatë qëndrimit në mjedisin e përshkruar, dhe vazhdon edhe pas takimit me zogjtë dhe gjelbërimin, dëshmuar nga vetë të anketuarit.

Andrea Meschelli, profesor i Ndërhyrjes së Hershme në Shëndetin Mendor pranë Kolegjit Mbretëror në Londër, tha se efekti pozitiv i takimit me zogjtë te njerëzit me depresion është i rëndësishëm, sepse prek edhe personat që kanë probleme të natyrës psikologjike.

“Ne e dimë se ushtrimet i bëjnë të gjithë të ndihen më mirë. Por motivimi i dikujt me depresion për të ushtruar është tepër sfidues. Nga ana tjetër, kontakti me zogjtë në një mjedis natyror është diçka që është ndoshta më e realizueshme”, shtoi Meschelli.

Adrian Thomas, autor i Shoqërisë Mbretërore për Mbrojtjen e Zogjve për këngën e shpendëve, tha se ata nuk ishin të befasuar nga gjetjet e raportit pasi shumica e njerëzve e përshkruan reagimin e tyre ndaj këngës së shpendëve si një reagim gëzimi dhe lumturie.

“Kënga e shpendëve dikur ishte muzikë natyrale për të gjithë njerëzit dhe mendoj se është e ngulitur diku thellë në psikikën tonë. Ajo lidhet me pranverën dhe rinovimin dhe motin e bukur që po vjen, që është vetëm një nga arsyet pse duhet të punojmë shumë për të zgjidhur krizën në të cilën ndodhet natyra dhe për ta siguruar atë për të ardhmen”, tha ai.

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori