LAJMI I FUNDIT:

Ndërtimi i parkingut nëntokësor fillon në nëntor

Ndërtimi i parkingut nëntokësor fillon në nëntor

Deri në nëntor të këtij viti do të shpallet kompania e përzgjedhur për ndërtimin e parkingut nëntokësor në Prishtinë, kur edhe pritet të fillojë ndërtimi i tij.

Drejtori për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm në Komunën e Prishtinës, Genc Bashota, tha se vlera e investimit është rreth 12 milionë euro, kohëzgjatja e koncesionit 25-40 vite, ndërsa sipërfaqja do të përfshijë 13 mijë e 990 metra katrorë, me minimum 500 vend parkingje, në dy nivele.


Në një konferencë për media, Bashota tha se pjesa mbi parkingun nëntokësor do të kthehet në gjelbërim, kështu që një prej kushteve për përzgjedhjen e fituesve do të jetë ajo se si e trajton pjesën mbi parking.

“Janë paraqitur 6 kompani të cilat kanë hyrë në këtë garë për kualifikim. Ne jemi në fazën e shqyrtimit të dokumentacionit. Ka edhe konsorciume të cilat janë bërë bashkë për të qenë më të fuqishëm. Dhe besoj se deri kah fillimi i javës tjetër do të zgjidhen kompanitë që kualifikohen. Çka ndodh pastaj, ato që kualifikohen garojnë me kërkesën për propozim për biznes-plan. Nëse çdo gjë shkon në rregull, diku para vitit të ri, apo kah fundi i nëntorit do ta kemi kompaninë, e cila e nënshkruan kontratën me komunën dhe e fillon punën. Ky projekt duhet të zgjatë diku rreth 18 muaj”, tha ai.

Sa i përket hartave zonale, Bashota tha se Kuvendi Komunal tashmë ka miratuar vendimin për inicimin e hartimit të PZhK-së dhe Hartës Zonale, i cili pritet të zgjasë rreth 18 muaj.

Sipas tij, në rastet kur në tokën private të dikujt ka interes publik, qytetari ka të drejtë ta bartë koeficientin e ndërtimit në zonën e ndërtimit.

Kësisoj, siç tha ai ruhet interesi i qytetarit dhe zhvillohet infrastruktura publike. /kp/Telegrafi/