Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava” në Gjilan ka njoftuar për ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijes në fshatin Koretin të komunës së Kamenicës, përcjell Telegrafi.

Sipas njoftimit, ndërprerja ka ndodhur si pasojë e djegies së njësorit elektrik në Stacionin e Pompimit Koretin, duke pamundësuar funksionimin normal të sistemit të ujësjellësit në këtë zonë.




Ekipet teknike të KEDS-it janë në terren dhe po punojnë për sanimin e defektit në energjinë elektrike, me qëllim që furnizimi me ujë të rikthehet sa më shpejt të jetë e mundur.

KRU “Hidromorava” ka kërkuar mirëkuptimin e konsumatorëve deri në përfundimin e punimeve dhe normalizimin e situatës. /Telegrafi/