LAJMI I FUNDIT:

“Ndërhyrje në kilometrat e kaluara të disa veturave dhe shmangie doganore ”, Policia në Ferizaj inicion kallëzim penal

“Ndërhyrje në kilometrat e kaluara të disa veturave dhe shmangie doganore ”, Policia në Ferizaj inicion kallëzim penal
Foto: Ilustrim

Sektori Rajonal i Hetimeve, përkatësisht Njësia e Auto Krimeve, nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, pasi ka pranuar disa informacione inteligjente, rreth manipulimit apo ndërhyrjes në kilometrave të kaluara të disa automjeteve, në konsultim me Prokurorin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ka nisur të hetojë një nga një, të gjitha rastet e dyshimta të automjeteve.

Pas intervistimit të disa personave, policia ka arritur të sigurojë prova materiale dhe deklarative dhe ka iniciuar 9 raste, kallëzim penal për veprën penale “Mashtrim, shmangie doganore dhe falsifikim i dokumentit”.


“Rastet e mashtrimit janë bërë në atë mënyrë, kur personat e caktuar pas doganimit, apo në disa raste edhe pas blerjes së automjeteve, kanë zbritur kilometrat para se të njëjtën t’ia shesin personit tjetër dhe për këto ndryshime nuk janë njoftuar blerësit e automjeteve.

Rastet e falsifikimit të dokumentit janë bërë kur personat e caktuar kanë ndërruar kilometrat në automjet të paraqitura përmes dokumentit false”.

Sektori i Hetimeve Rajonale në Ferizaj, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe partnerë tjerë, janë duke punuar vazhdimisht në identifikimin dhe zbulimin e rasteve të mashtrimit, falsifikimit dhe shmangies doganore.

Informacionet tjera janë në fazën e hetimit dhe grumbullimit të të dhënave shtesë.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, fton qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë, për të gjitha rastet e mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve dhe shmangies doganore, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’ dhe në numrat kujdestarë: 192, 0290/326-250 & 0290/322-406. Të dhënat e tyre do të ruhen në konfidencialitet të plotë”. /Telegrafi/