Policia e Kosovës ka sqaruar situatën lidhur me hyrje-daljet dhe parkimin e automjeteve në hapësirat e Kuvendit të Kosovës dhe Presidencës.

Në një njoftim për media, Policia bëri të ditur se ka pranuar disa kërkesa dhe pyetje nga mediat lidhur me kufizimet e vendosura gjatë ditës së sotme.


Sipas Policisë, zyrtarët kompetentë të Drejtorisë së Shërbimeve Teknike të Kuvendit, përmes një shkrese zyrtare, kanë kërkuar që më 8 shtator të mos lejohen hyrje-daljet dhe parkimi i automjeteve në hapësirat e ndërtesës, me përjashtim të veturave zyrtare të Kuvendit dhe Zyrës së Presidentes.

Policia sqaron se masa është ndërmarrë me kërkesë të institucioneve përkatëse për shkak të punimeve për pastrimin e oborrit dhe hapësirave të parkingut me mekanizëm adekuat.

Në të njëjtën shkresë, sipas Policisë, është paraparë që gjatë ditëve në vijim të rikthehen procedurat e rregullta për hyrje-daljet dhe parkimin e automjeteve për personat e autorizuar.

Policia e Kosovës theksoi se është institucion për zbatimin e ligjit dhe se veprimet e saj i ndërmerr në përputhje me autorizimet ligjore dhe kushtetuese, përfshirë edhe zbatimin e kërkesave zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Kjo sqarim i Policisë vjen pas interesimit të mediave për kufizimet e vendosura gjatë ditës së sotme në hapësirat e Kuvendit dhe Presidencës. /Telegrafi/