LAJMI I FUNDIT:

Ndalohen 7 zyrtarë për keqpërdorim detyre në Komunën e Pejës

Ndalohen 7 zyrtarë për keqpërdorim detyre në Komunën e Pejës

Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se pas hetimeve nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare për ndërtimet e kundërligjshme, sot me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar 7 persona të dyshuar për veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar në Komunën e Pejës.

Prokuroria Themelore në Pejë në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësitin për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, sot ka shoqëruar në stacionet policore përkatëse shtatë zyrtarët e dyshuar, të cilët pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit janë dërguar në ndalim 48 orësh.


“Personat e ndaluar janë: A.K. – drejtor i Drejtorisë për Çështje Pronësore Juridike në Komunën e Pejës, M.N.- drejtor i Drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Pejës, M.B. – inspektor i ndërtimit në Drejtorinë e Inspektoratit në Komunën e Pejës, A.LL., zyrtar ligjor në Drejtorinë për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Pejës, O.K. ish-punëtor i Drejtorisë për Çështje Pronësore Juridike (i angazhuar ende në punë) në Komunën e Pejës, P.T. dhe P.B. (gjeodetë të licencuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës)”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes, brenda afatit ligjor do bëjë vlerësimin për kërkesat eventuale për sigurimin e prezencës se të pandehurve në procedurë penale. /Telegrafi/