LAJMI I FUNDIT:

NATO meriton falënderimin tonë, edhe kritikat, por jo ta spiunojmë

Në ditën e sotme 13 vite më parë nisa shkrimin me titullin “Vonesa fatale e NATO-s në Kosovë”. E dërgova nëpër gazeta dhe portale të njohura në botë ku edhe sot e kësaj dite qëndron i postuar në shumë gjuhë të botës. Nuk e prisja që ky shkrim do të gjente aq shumë hapësira botimi që nga Amerika e deri në Japoni, që ditën e nesërme më 30.03.1999.

Shkrimi ngjalli reagimin e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve dhe u vu në vëmendje të NATO-s. Për më tepër, gjashtë vite më vonë, këtë shkrim ma vunë në dukje në Radio Televizionin e Serbisë më 2005 kur u përballa në debat me Sllobodan Samarxhiqin .


Arsyet mund të merren me mend kur kihet parasysh përmbajtja e këtij shkrimi që po jap në vijim.

***

“Vonesa fatale e NATO-s në Kosovë

Duket e pabesueshme, por është e vërtetë se as pas ditës së pestë të sulmeve nga ajri NATO nuk arriti ta gjunjëzojë Jugosllavinë e Millosheviqit. Në ndërkohë forcat serbe kanë ndërmarrë një ofensivë të gjerë spastrimi etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë. Nëse ky avaz do të vazhdojë edhe për disa ditë të tjera, atëherë Kosova rrezikon të mbetet pa kosovarë dhe aksionet e NATO-s s’do të kenë kuptim.

Duke lënë mënjanë këto parashikime të kobshme për një paqe varresh në Kosovë, duhet pranuar se edhe nëse Serbia gjunjëzohet që nesër, me bilancet e deritashme NATO ka vënë në dyshim aftësitë e saja në mbrojtje të vlerave morale universale të planetit tonë. Nga ky fakt mund të konkludojmë se ose NATO është ushtarakisht dhe politikisht e paaftë të gjunjëzojë regjime terroriste gjenocidale siç është regjimi i Millosheviqit në Serbi, ose NATO nuk do që ta gjunjëzojë Millosheviqin, por do që ta lejojë atë që ta kryej spastrimin etnik në Kosovë, dhe së këndejmi aksioni i saj është vetëm farsë.

Sido që të jetë e vërteta, kjo përbën një rrezik të madh për paqen dhe sigurinë globale. Në planetin tonë kemi aktualisht 185 shtete dhe mese 8000 grupe etnike. Shembulli serb do të inkurajonte shtetet tjera totalitare dhe jo totalitare që problemet e tyre ndëretnike t’i zgjidhnin sipas modelit serb. Kjo do të thoshte që nga faqja e dheut të fshiheshin tri të katërtat e numrit të përgjithshëm të popujve në botë e ndoshta edhe i gjithë planeti pasi që shtetet që më së shumti kanë probleme etnike në botë si Kina, India, Pakistani etj. posedojnë edhe armë nukleare.

Në fakt ofensiva e fundit serbe filloi pak ditë para sulmeve të NATO-s nga ajri, kështu që nuk mund të thuhet se ajo u provokua nga sulmet e NATO-s. Përkundrazi, po mos të ishin goditjet e NATO-s spastrimi etnik i Kosovës tanimë ndoshta do të kish përfunduar. Ajo që i frenon serbët e Millosheviqit në këtë rast nuk është asnjë skrupull moral, por rezistenca e kosovarëve dhe sulmet e herëpashershme të avionëve të NATO-s.

Nëse faktin që NATO akoma nuk e ka gjunjëzuar Millosheviqin do ta quanim dështim, atëherë shkaqet e këtij dështimi janë këto:

E para. Sukseset luftarake të serbëve kanë qenë produkt i asaj se serbët e bërthamës gjithmonë kanë qenë të gatshëm t’i sakrifikojnë serbët e periferisë. Ky është rasti me luftërat ballkanike, me dy luftërat botërore dhe së fundit rasti më i freskët është ai i Kroacisë. Beogradi manipuloi serbët e Kroacisë në emër të rrezikimit të të drejtave te tyre; i cyti ata të bëjnë dhunime, djegie e masakra mbi kroatët derisa kroatët ishin të pafuqishëm. Për këtë gjë ndihma nga Beogradi nuk u mungoi. Në momentin kur kroatët u bënë të fuqishëm dhe i sulmuan serbët e Kroacisë, kur pra i rrezikuan ata seriozisht, Beogradi nuk lëvizi fare, nuk i mbrojti, sepse nuk deshi të rrezikojë asgjë përballë Kroacisë tanimë të fuqishme ushtarakisht e politikisht.

Sulmi i NATO-s mbi Serbinë nuk e gjunjëzoi Serbinë, të paktën për këto 5 ditë, për faktin se Serbia po goditën në periferinë e saj dhe jo në bërthamë. NATO po godet magazinat e zbrazëta dhe natyrisht kjo përbën objekt humori.

Objektet që përbëjnë bërthamën e regjimit të Millosheviqit nuk janë cenuar akoma.

Radiotelevizioni i Beogradit, arma kryesore e Millosheviqit, nuk është sulmuar; fabrika për prodhimin e armëve në Kragujevc po ashtu; ministritë e Mbrojtjes, të Punëve të Brendshme akoma nuk janë bërë targete për bombat e NATO-s. Liderit të Libisë, Moamer El Khadafi, që më sulmin e parë amerikan i është vrarë vajza, kurse vajza e Sllobodan Millosheviqit mund të dal edhe në shesh të Beogradit në koncert rocku me parullën: ‘NATO, Sorry We Are Singing’.

Në fakt Millosheviqi u trimërua tek pas natës së parë të sulmeve të avionëve të NATO-s, kur pa se aksioni nuk ishte goditje e mbrehtë, por goditje qortuese. Këtu ai pa se deri të qortimet e fundit ka kohë që ta vazhdojë spastrimin etnik në Kosovë. Natën e parë ai ishte vërtetë i hutuar dhe i frikësuar aq sa i shpëtoi një deklaratë e tillë përmes Radio Beogradit: ‘Këtu nuk është në pyetje vetëm Kosova, por edhe Serbia. Ta lëmë Kosovën, por këtu është edhe çështja e Serbisë’. Këtu, Millosheviqi i hutuar dhe i frikësuar nga sulmet e NATO-s, natën e parë harroi se Kosova është ‘djepi’ i Serbisë, por kjo i ra ndërmend natën tjetër kur pa se sulmet e NATO-s nuk ishin aq serioze.

Bombardimi i Radiotelevizionit të Beogradit

Që NATO të mos dështojë në duelin me Millosheviqin, gjëja e parë që duhet ta bëjë është ta paaftësojë Radiotelevizionin e Beogradit që është çerdhja e kryekriminelëve jo të vetëm e luftës në Kosovë por edhe atyre në Bosnje, Kroaci e Slloveni, në mënyrë që opinioni serb të jetë i detyruar të ndjekë kanalet e jashtme televizive, ku Millosheviqi do të ketë qasje të kufizuar, dhe ku do të promovoheshin politikanë serbë që do të ofronin alternativa më njerëzore se sa gjenocidi dhe spastrimi etnik. Serbet duhet të mësohen të protestojnë kundër bashkatdhetarëve të tyre që vrasin gra, fëmijë e pleq.

E dyta, të joshet Mali i Zi që të shpallë pavarësinë dhe të njihet menjëherë pavarësia e tij. E treta
dhe më kryesorja do t’ishte njohja e pavarësisë së Kosovës.

Me njohjen e pavarësisë e Kosovës, spastrimi etnik i saj për serbët nuk do të kishte më kuptim. Tek e fundit kjo është zgjidhja e vetme logjike. Si do t’u thuhet kosovarëve tani jetoni nën Serbi, kur në memorien e serbëve është fiksuar ideja se janë bombarduar për shkakun e kosovarëve?

Kjo tani nuk do të kishte kurrfarë kuptimi. Tek e fundit kjo do të duhej të ishte pjesë e dënimit për Serbinë për shkak të gjenocidit. Sido qoftë është më e lehtë për bashkësinë ndërkombëtare të mbrojë pakicën e vogël serbe në Kosovë, se sa ta mbrojë pakicën e madhe shqiptare në Serbi.

Dhe së fundit, kur flitet për pavarësinë e Kosovës, zakonisht kjo gjë refuzohet me motive gjeopolitike të sigurisë në rajon. Në fakt, pikërisht pavarësia e Kosovës do të siguronte ekuilibrat gjeopolitikë në rajon.
Gjithë grupet etnike në Ballkanin lindor kanë nga dy shtete: rumunët kanë Rumaninë dhe Moldavinë, grekët kanë Greqinë e Qipron, Bullgarët kanë Bullgarinë dhe Maqedoninë, serbët kanë Serbinë dhe Malin e Zi, dhe të vetmit janë shqiptarët që e kanë Shqipërinë, por nuk mund ta kenë edhe Kosovën. Pse jo”?

***

Ky ishte shkrimi i botuar 13 vite më parë në shumë gjuhë dhe gazeta të botës. Pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, gati askush nga qytetarët e Kosovës nuk ka shtruar pyetjen për punën e angazhimit të NATO-s. A ishte ky angazhim efecient? A i arriti synimet e veta? Cilat ishin lëshimet, gabimet, a mund të shmangeshin ato etj.

Thjesht, të gjallët u gëzuan që mbetën gjallë, të vdekurit nuk ankoheshin!

Libri Wesley Clark-ut dhe libra e artikujt të tjerë që mund të dalin më pas mund të hedhin vetëm një pjesë të dritës mbi këtë ngjarje botërore. Pjesa tjetër na mbetët ne. Shkrimi që citova më lart është ndoshta i vetmi shkrim kritik e kërkues ndaj NATO-s i publikuar nga një shqiptar në 2 dekadat e fundit.

E rikujtova këtë për dy gjëra. Një për të shprehur pezmin tim për lajmin që lexova ditë më parë se zyrtarët shqiptarë po ia shesin sekretet e NATO-s Serbisë e Rusisë dhe dy për të shprehur mirënjohje për atë që bëri NATO 13 vite më parë.

Në trend

Më shumë
Qysh nga raundi i parë u vërejt se diçka nuk shkon me Tyson Furyn - tani publikohen pamjet

Qysh nga raundi i parë u vërejt se diçka nuk shkon me Tyson Furyn - tani publikohen pamjet

Boks
Besnik Berisha: Enver Sekiraqa nuk është arratisur

Besnik Berisha: Enver Sekiraqa nuk është arratisur

Lajme
Ato që dimë deri tani rreth aeroplanit “të rrëzuar” të presidentit të Iranit

Ato që dimë deri tani rreth aeroplanit “të rrëzuar” të presidentit të Iranit

Botë
Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Lajme
Aeroplani “i rrëzuar” i presidentit të Iranit, thuhet se tanimë ka pasur një kontakt me pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit

Aeroplani “i rrëzuar” i presidentit të Iranit, thuhet se tanimë ka pasur një kontakt me pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit

Botë

"Askush nuk donte të fliste me mua te Barcelona, ​​vetëm Eric Abidal” - ylli i ri francez tregon vuajtjet te gjiganti i La Ligas

La Liga
Kalo në kategori