LAJMI I FUNDIT:

Nagavci: Në qershor synojmë që mësimdhënësit t’i nënshtrohen një provimi

Nagavci: Në qershor synojmë që mësimdhënësit t’i nënshtrohen një provimi

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka paralajmëruar se në qershor të vitit 2024 pritet që mësimdhënësit t’i nënshtrohen një provimi.

Në konferencën për media të fundvitit, Nagavci ka thënë se ky testim do të mundësojë licencën e avancuar për mësimdhënësit, të cilët edhe do të paguhen nga Ministria e Arsimit në rast se tregohen të suksesshëm.


“Ne kemi paraparë edhe buxhetin i cili do të shfrytëzohet me qëllim të pagesës për mësimdhënësit të cilët do të avancohen pasi të përfundojnë suksesshëm licencimin e tyre, përfshirë edhe testimin”, ka thënë ministrja.

Ngavaci po ashtu ka bërë të ditur se po bashkëpunojnë me Shqipërinë për hartimin e udhëzuesit për realizim të këtij procesi.

“Jemi në proces të udhëzuesit që do të bëjë realizimin dhe jemi në bashkëpunim me Shqipërinë, synimi është që nga qershori ta fillojmë testimin e mësimdhënësve për licencë të avancuar”, është shprehur Nagavci.

Ajo tutje ka thënë se në tre muajt e ardhshëm do të prezantojnë planin e detajuar për përmirësimin e cilësisë në arsim.

Teksa ka prezantuar punën dhe sfidat përgjatë vitit 2023 të ministrisë që udhëheq, Nagavci gjithashtu ka përmendur edukimin në fëmijërinë e hershme, edukimin parafillor.

Sipas ministres, edukimi parafillor nga viti 2024 do të bëhet i obligueshëm. /Telegrafi/