LAJMI I FUNDIT:

Naftëtarët ta përfundojnë fiskalizimin sa më parë

Naftëtarët ta përfundojnë fiskalizimin sa më parë

Naftëtarët janë pajtuar sot për përfundimin e procesit të rifiskalizimit, meqë sipas tyre është arritur të thyhet monopoli i tregut të pajisjeve fiskale. Kështu u tha në mbledhjen e Kuvendit të Shoqatës së Naftëtarëve.

Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani theksoi se pas tri viteve angazhim është arritur me sukses të ulen çmimet e arkave fiskale prej 18 mijë e 500 euro në 4 mijë. “Qe tri vite jemi duke shtyrë lidhur me këtë problem, ne asnjë herë s’kemi qenë kundër rifiskalizimit, andaj, kjo është duke treguar edhe nga operatori, i cili ka liruar çmimet dhe hyrja e operatorit në treg, ku dihet se prej 18 mijë e 500, ne kemi arrite ta zbresim në 4 mijë euro… Unë apeloj se rifiskalzimi duhet të përfundon sa më parë”, tha Berjani.


Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se rënia e çmimit të pajisjeve fiskale për naftëtarët ka një rëndësi të madhe, sepse naftëtarët do të jenë kontribuues të shtetit me anë të rifiskalizimit.

“Është arritur pas një kohe të gjatë një fitore e madhe që nga një taborë i etiketimit Shoqata e Naftëtarëve është pjesë e proceseve. Vet fakti që kemi ardhur deri te kjo ulje e çmimeve që është mundi i angazhimeve të tyre, dhe vet fakti që për tri javë e kemi një numër rekord të rifiskalizimit, ku më tepër se 180 kompani janë në këtë proces… është kontributi më i madh që mund ta bëni për veti, por edhe për shtetin i cili është në konsolidim. Ajo çka është më interesante të thuhet se si OEK se vërtet kemi qenë një zë kritik sa i përket proceseve ekonomike”, theksoi Gërxhaliu.

Naftëtarët morën mbështetjen edhe nga deputetë të Kuvendit, ku sipas anëtarit të komisionit për Zhvillim Ekonomik, Blerim Grainca, si komision janë të angazhuar që të nxjerrin një ligj i cili rregullon fushën e tregut të derivateve në Kosovë, si për nga cilësia, fiskalizim dhe të tjera.

“Ju siguroi se Komisioni për Zhvillimin është shumë i interesuar që këtë fushë ta rregulloj një herë e përgjithmonë me ligj, konform legjislacionit që është në fuqi dhe konform praktikave që kanë vendet tjera në regjion dhe në vendet e BE-së”, the deputeti Grainca.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, duke folur për tenderamoninë nga ana e institucioneve të Kosovës me operatorët e naftës, tha se kjo çështje është duke u rregulluar që të jetë më transparent dhe të mos fitojnë tender çdoherë të njëjtat kompani. Ai tha se Qeveria e Kosovës ka qenë dhe është e interesuar ta thyej monopolin në çdo fushë.

Po ashtu, Krasniqi foli edhe për rritjen ekonomike për vitin e ardhshëm, që sipas tij pritet të jetë 4.4 për qind. “Këto dy vitet e fundit kemi një rritje 3.8 deri 4 për qind, ndërsa, në vitin tjetër planifikojmë me pasur një rritje ekonomike 4.4 për qind, kjo më e madhe se që kemi pasur në vitet e kaluara, dhe jo duke i rritur taksat dhe jo duke i dënuar ose duke kërkuar prej bizneseve që të paguajnë më shumë, por kryesisht qëllimi ynë është që të gjithë të paguajmë, duke paguar të gjithë ne arrimë me pasur më shumë të hyra buxhetore”, tha Krasniqi.

Kryetari i shoqatës së naftëtarëve vuri në pah se tenderët nga institucionet e shtetit për furnim me derivate duhet të bëhet në shumë llote, jo vetëm kontrata me një operatorë të derivateve.

Naftëtarët kanë diskutuar edhe për udhëzimin Administrativ për cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, ku sipas drejtuesve të kësaj shoqate, naftëtarët po vazhdojnë të injorohen nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për harmonizimin e Udhëzimit në fjalë. /Telegrafi/