LAJMI I FUNDIT:

Na ishte njëherë një “Gjani”

Na ishte njëherë një “Gjani”

Mund të thuhet lirisht se “Gjani” për më shumë se dhjetë vjet paraqiste “shpirtin” e Prishtinës, ashtu të zymtë, të papastër, të varfër, të tymosur e të shëmtuar, por me një atmosferë unike joartificiale, e cila edhe pas gati dhjetë vjetëve të tëra, përkundër mijëra e mijëra tentimeve nga “kafexhinjtë” e ndryshëm prishtinas, nuk mund të përsëritet. Shkrimi i mëposhtëm i liderit të rock grupit të parë alternativ në Kosovë, “Lindja”, është botuar në shtojcën “Jeta” të Javores Politike Shqiptare “Zëri”, në vitin 2001.

Nga: Luan Osmani


“Djal’i mir, qa po don me pi?” – ishte takimi im i parë me njërin nga “kamerierët” më bizarë të kafiqave prishtinas apo, më saktësisht, me njërin nga bashkëpronarët e “kafiq – legjendës” prishtinase – Gjanit.

Ishte dikund mesi i viteve të nxehta – 1981-’82, kur filluan të fryjnë erërat e një diçkaje të re në këtë regjion. Globalisht, kjo periudhë shënohej edhe me disa drejtime plotësisht të padëgjuara deri atëherë në muzikën e popullarizuar.

Pra, ishte kjo koha e “Valës së Re” apo “New Wave”-it, e cila krah për krah me Punkin e demonizuar dhe “SKA”-n si një produkt i pastër britanik, të ndikuar nga reggae-ja xhamajkane, paraqiste një klimë e cila me plot fuqi e gëlltiste hapësirën mediale dhe intelektuale të ngulfatur nga metuzalemët e fundit të viteve të ‘70-ta.

Megjithatë, kjo “Valë” te ne mund të thuhet se (s’)u përqafua mjaft ngadalë dhe me plot paragjykime, si gjithherë dhe gjithkund kur bëhet fjalë për diçka të re dhe të panjohur; diçka që ndryshon nga e zakonshmja. Me fjalë të tjera, individët dhe grupet që identifikoheshin me këtë “Valë” ishin të pakët dhe nuk pranoheshin në shoqëri me ndonjë simpati të posaçme. Përkundrazi, te ne ende jetonte (të mos them ishte në vlugun e tij) dashuria e verbër për legjendat e rockut të rëndë (Led Zeppelin, Deep Purple…), të cilët tash më ishin pothuaj të harruar në botë. Prandaj, këta të “rinj”, me pamje dhe ide plotësisht tjera nga ato “tradicionale”, shikoheshin si të huaj.

Njëri prej vendeve të rralla, ku të gjitha këto erëra përziheshin në një hapësirë, pavarësisht nga preferencat personale, ishte pikërisht ai “Gjani” i vogël, me një enterier modest për nga investimi, me një aparaturë të konsiderueshme muzikore për atë kohë dhe, së fundi, me një atmosferë unike e cila rrallëkund mund të gjendej në tërë ish-RSFJ-në e atëhershme.

Më kujtohet kur zakonisht me shokët dhe shoqet e klasës, si nxënës të shkollës së mesme “Xhevdet Doda”, iknim nga orët e mësimit dhe të gjithë drejtoheshim në “Gjani”. Ishte po ashtu ky vendi i cili për gati tërë dhjetëvjetorin 1980-90 paraqiste vendtakimin e të gjithë prishtinasve, të cilët ishin në “trend” të ngjarjes. Nëse për asgjë tjetër, ata vinin dhe e pinin nga një birrë të madhe të Pejës, nga kureshtja, kuptohet… Në orët e mbrëmjes njerëzit pritnin jashtë këtij objekti të vogël, me shpresë se do të mund të kalojnë së paku një orë aty, që të dehen me trendin dhe atmosferën në “Gjani”.

Po ashtu, “Gjani” ishte vendtakimi kryesor i të rinjve dhe të rejave prishtinase e të gjithë kosovarëve, nga të gjitha viset e “krahinës” së atëhershme të Kosovës. Si rezultat i kësaj, besoj se gjatë kësaj periudhe, sa funksiononte ky lokal, u njohën shumë individë me njëri-tjetrin, u krijuan shumë simpati, u lidhën shumë e shumë fate të cilat me siguri se nuk do të ishin bashkë po të mos ishte “Gjani”. Pra, nëse ke dashur të takohesh apo njohësh dikën, mjaftonte të shkoje në “Gjani” dhe pas pak kohe të gjitha informatat lidhur me atë person merreshin pa problem.

Dikush mund të pyesë se ku qëndron arsyeja e idealizimit të këtij “qymezi” të vogël dhe të papastër, i cili më së shumti njihej nga gojëkëqijtë e asaj dhe të kësaj kohe si vendi i “drogirashave”?! Me siguri se elementi kryesor i tërë këtij “fenomeni” të zbavitjes së rinisë dhe pleqërisë së asaj kohe ishte muzika e cila dëgjohej aty. Normalisht, në atë kohë nuk ekzistonin DJ-at e ndryshëm me ton-aparatura të llojllojshme për të riprodhuar tone sintentike monotone, të cilat pas pak kohe i ngjanin “masturbimit” të kotë pa ndonjë rezultat përfundimtar. Shumë thjeshtë, shija muzikore aty krijohej dhe këmbehej nga pronari deri te klienti. Pothuaj çdo ditë dikush sillte apo merrte me vete ndonjë kasetë të re apo të vjetër, por të padëgjuar. Pra, spektri i muzikës që dëgjohej aty ishte i gjerë dhe i pashtershëm. Aty mund të dëgjohej edhe Pink Floyd, Madness, Thin Lizzy, Talking Heads, Eric Clapton, The Police, Wishbone Ash, Tangerine Dream…

Mund të thuhet lirisht se “Gjani” për më shumë se dhjetë vjet paraqiste “shpirtin” e Prishtinës, ashtu të zymtë, të papastër, të varfër, të tymosur e të shëmtuar, por me një atmosferë unike joartificiale, e cila edhe pas gati dhjetë vjetëve të tëra, përkundër mijëra e mijëra tentimesh nga “kafexhinjtë” e ndryshëm Prishtinas, nuk mund të përsëritet, pa marrë parasysh tollovitë të cilat krijohen në vendtakimet më të popullarizuara të “techno-rave” rinisë së sotme. Por, ky nuk është faji i kafexhinjve… As i rinisë… Faji është jetim…