LAJMI I FUNDIT:

MZHE: Kontrata sikur me Contour Global, ka edhe në BE

MZHE: Kontrata sikur me Contour Global, ka edhe në BE

Qeveria e Kosovës është duke vazhduar me projektin për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” edhe pse Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, kohë më parë kishte shprehur shqetësim se marrëveshja me Contour Global rrezikon integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ka thënë se shqetësimet e komunitetit të energjisë nuk qëndrojnë. Kurse KOSID kërkon që të ndalet ky projekt.


Sekretariati i Komunitetit të Energjisë kishte konstatuar se një numër i elementeve të kontratave të nënshkruara bie ndesh me ligjet e BE-së për Ndihmë Shtetërore. Sekretariati thotë se Contour Global është i mbrojtur nga rreziqet komerciale, rreziku i prodhimit, i tregut-ku hyjnë edhe luhatjet e çmimeve, rreziku operacional, ai tatimor, i kredisë etj. Të gjitha këto mbulohen nga Qeveria e Kosovës nëpërmjet kompanisë publike NKEC, apo “Kompania e Re Elektrike e Kosovës”, e cila do ta blejë tërë energjinë e termocentralit “Kosova e Re” dhe do t’ia shesë KEDS-it. E Ministria e Zhvillimit Ekonomik thotë se shqetësimet e Sekretariatit të Komunitetit nuk qëndrojnë. Në një përgjigje me shkrim, ministria thotë se do të jepen sqarimet për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Përgjigjja në letrën e Komunitetit iu është dërguar. Po ashtu, kanë filluar aktivitetet trepalëshe ndërmjet Qeverisë së Kosovës, Komisionit Evropian dhe Komunitetit të Energjisë. Sqarimi i plotë për këtë çështje mund të marrë edhe pak kohë, mirëpo do t’u prezantohen atyre të gjitha dëshmitë dhe faktet që tregojnë se ky shqetësim është i paqëndrueshëm dhe nuk përbën asnjë problem për marrëdhëniet e Kosovës me Komunitetin e Energjisë. Shembuj të ngjashëm e kontrata të ngjashme ekzistojnë edhe në vetë Bashkimin Evropian”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, për Radio Kosovën.

Po ashtu kjo ministri, thekson se projekti është investim privat dhe financimi i projektit do të bëhet nga investitori Contour Global. Por për dallim nga ministria, Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile, KOSID, pajtohet me konstatimet e Komunitetit të Energjisë.

Rinora Gojani, nga KOSID, për Radio Kosovën ka thënë se ndihma shtetërore për Contour Global e anulon konkurrencën e prodhimit të energjisë prej burimeve të ripërtërishme, por edhe prej prodhuesve vendorë, Kosova A dhe B.

“Kështu që do ta krijonte një disfavor për kompanitë shtetërore dhe favorizim ndaj një kompanie private. Këto janë dy shkelje të identifikuara, në fillim nga ne dhe më pas edhe nga Trektati i Komunitetit të Energjisë, i cili është një institucion që e monitoron vendin tonë dhe vendet e rajoni në përmbushjen e kritereve që i kemi drejt integrimit për energji dhe për mjedis.”

KOSID po ashtu mirëpret vendimin e Bankës Botërore për të mbështetur zhvillimin e energjisë së pastër në Kosovë. /Telegrafi/