LAJMI I FUNDIT:

Mustafa u premton grave përfshirje në institucione

Mustafa u premton grave përfshirje në institucione

Kryeministri i Kosovës dhe kryetari aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në shënimin e 26-vjetorit të themelit të Forumit të Gruas së LDK-së, u premtoi grave anëtare të partisë që do t’i përmbush zotimet e dhëna për përfshirjen e grave në institucione. Në shënimin e këtij përvjetori kryeministri foli për rëndësinë e gruas në jetën shoqërore.

Megjithatë, nuk la pa përmend zhvillimet aktuale politike, duke thënë se LDK edhe në këto rrethana nuk duhet të dorëzohet por duhet të punojë më shumë drejtë përmbushjes së obligimeve, si parti që është në krye të ekzekutivit.


I vetëdijshëm për premtimet që pati dhënë lidhur me kabinetin qeveritar dhe përfshirjen e grave të vend-marrje në shoqëri, kryeministri qysh në fillim të fjalimit të tij, para Forumit të Grave të LDK-së, tha se do t’i përmbush premtimet e dhëna.

“Të nderuara gjithë ju zonja që jeni këtu me ne, edhe ju zotërinj, në një numër më të vogël. Dhe kjo është fryma e Forumit të Gruas, që zotërinjtë me i zvogëluar në numër sa i përket institucioneve, përfaqësimit të tyre. Unë e di që të gjithë jemi borxhli dhe se kemi dhënë premtime e ato duhet me i përmbush”, tha Mustafa, raporton KP.

Duke folë për situatën aktuale politike dhe rolin e LDK-së në të, Mustafa tha se situatë e tanishme është e ndërlikuar dhe LDK me punë do t’iu përgjigjet këtyre veprimeve.

“Situata në të cilën po veprojmë tani nuk është ajo as e viteve ’90, është një situatë krejtësisht tjetër, më e ndërlikuar, që kërkon shumë punë. Është një situatë e veprimit politik në një ambient shumë konkurrues, dhe në një ambient mjaft të vrazhdë politik, dhe ne duhet të pranojmë këtë ambient dhe këto kushte në të cilin duhet të veprojmë. Nuk përjashtoj dëshirën e tjerëve që mos ta shohin mirë LDK-në, sepse nuk janë mësuar që LDK-në ta shohin në krye të qeverisjes së vendit. Këto veprime të cilat po ndodhin në vitet e fundit, nuk kanë ndodhë kur në këtë vend. Shtrohet pyetja pse këto veprime po ndodhin kur LDK është vënë në krye të Qeverisë? Por, unë nuk kisha hy të japi përgjigje, por përgjigjen do ta japin ata që po i pengon LDK, ndërsa ne përgjigjen do ta japim me punën që do të bëjmë”, tha ai.

Mustafa tha se LDK duhet të krenohet me përgjegjësinë dhe guximin që ka marrë përtë qeverisur me vendin.

Ai tha se LDK nuk duhet të ndjehet e turpëruar pse po zbaton marrëveshjet e koalicionit, siç tha ai, me rëndësi është që të mendohet në të mirë të vendit. Duke folur për koalicionin qeverisës me PDK-në, Mustafa tha se e ka bërë një veprim të tillë vetëm në interes të Kosovës, dhe si i tillë duhet të respektohet.

“LDK po mos kishte fuqi dhe të ishte parti serioz e dhe e madhe askush nuk do të merrej me të, kush sot po mirret me parti të vogla me ato që nuk vlejnë as pesë para për skenën politike të Kosovës. Por unë kërkoj nga anëtarësia e LDK-së që të jemi unik dhe të vlerësojmë vetën, të ndërtojmë LDK-në si një shtyllë të fortë të ndërtimit të shtetit të Kosovës. Në këtë betejë politike asnjë subjekti politik nuk I takon krejt Kosova, as të gjitha pozitat në Kosovë. Nuk kemi qare pa i nda me dikënd. Nuk jemi ata që zgjedhim sepse zgjedhin qytetarët përmes zgjedhjeve”, tha ai.

Ai përsëriti se nuk do të dorëzohen para veprimeve të dhunshme, sepse siç tha në pushtet kanë ardh me votë dhe vetëm ajo do të mund t’i larojë.

Ndërsa, kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Lirije Kajtazi tha se programi politik i LDK-së ofron mundësi për të vënë në veprim potencialet profesionale të gruas.

“Përqindja e ulët e angazhimit të grave në ekonomi dhe jetën e përgjithshme shoqërore nuk pasqyron shkallën e arsimimit të tyre, për fat të mirë ato janë mjaft të arsimuara, në krahasim me atë se sa janë të përfaqësuara në jetën tonë në përgjithësi. Programi politik i LDK-së ofron mundësi për të vënë në veprim potencialet profesionale, njerëzore dhe politike të gruas. Ky është motivim për të sjellë zërin e gruas në funksion të përparimit të vendit”, tha ajo.

Në këtë ceremoni të shënimit të 26-vjetorit të themelimit të Forumit të Gruas në LDK, u bë thirrje nga kryeministri Mustafa që të punohet në zgjerimin e anëtarësisë dhe të përgatiten për zgjedhjet lokale për vitin e ardhshëm.

Gjithashtu, u tha se LDK është subjekt i organizuar dhe i fortë që me organizimin e grave në këtë parti ato janë bërë pjesë e bërjes së historisë së Kosovës.