LAJMI I FUNDIT:

Mustafa i PDK-së: Qeveria me skema populiste, realizimi i investimeve kapitale më i ulët se në vitin 2010

“Ministri në hije” i Financave nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Arben Mustafa shprehet se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti po vazhdon me skema ad-hoc dhe populiste për sa i përket punësimit.

Mustafa gjatë një interviste për Telegrafin ka theksuar se realizimi i investimeve kapitale gjatë vitit 2022, ishte më i ulëti se në vitin 2010.


“Në nëntë muajt e parë të vitit 2022 janë realizuar vetëm 20 për qind të investimeve të projektuara. Kosova gjatë vitit 2022 ka pasur investime kapitale më pak se që ka pasur në vitin 2010, ku shpenzimet e qeverisë kanë qenë vetëm 1.2 miliard euro”, ka theksuar Mustafa.

Ai vijon se Qeveria e Kosovës po i zëvendëson investimet kapitale me subvencione.

“Këtu flasim për një mosinteresim të kësaj qeverie, pasi është e prirë t’i zëvendësoj investimet kapitale me subvencione të ndryshme. Ato para që kanë qenë të destinuara për investime kapitale nuk do të thotë se janë kursyer, por janë shpërndarë nga 50 euro e 100 euro nëpër skema të ndryshme”, vijon ai.

“Kanë qenë skema ad-hoc apo popullsitë për të krijuar një përshtypje se qeveria po i ndihmon qytetarët, mirëpo janë ndihmuar në një mënyrë që nuk paraqet ndonjë përmirësim të qëndrueshëm të kushteve të jetesës”, shton Mustafa.

Mustafa: Qeveria po bën propagandë se në Kosovë ka zhvillim ekonomik
Lexo po ashtu Mustafa: Qeveria po bën propagandë se në Kosovë ka zhvillim ekonomik

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, vë në pah se të hyrat e mbledhura nga qeveria janë shfrytëzuar për të financuar importin.

“Të hyrat e mbledhura nga qeveria janë shfrytëzuar për të financuar importin e vendeve të ndryshme, përfshirë importin e Serbisë që ka lulëzuar në këtë periudhë. Pra, e vërteta qëndron se nuk e ka prioritet sektorin privat”, potencon ai.

Po ashtu, Mustafa tregon se vlera e eksporteve është për 16 për qind më e ulët se sa prilli i 2022-së.

“Gjatë kulmit të krizës thoshin se eksportet e Kosovës po lulëzonin. Ajo që ndodhte ishte një fryrje e vlerës së eksporteve për shkak të rritje së çmimeve, për derisa sasia e mallrave te eksportuara binte vazhdimisht. Për këtë vit nuk e kanë më atë efektin e rritjes së çmimeve që e kishin, ku po e shohim se ka rënie të eksporteve edhe në vlerë”, tregon Mustafa.

“Në prill të këtij viti, vlera e eksporteve është për 16 për qind më e ulët se sa prilli i 2022-së, ndërsa sipas kësaj qeverie kemi pasur një bum ekonomik, për derisa sasia e eksporteve binte por rritja e çmimeve e paraqiste një rritje të vlerës”, përfundon ai.

Në këtë intervistë, Mustafa ka folur edhe për atë siç e ka quajtur ai, propagandën që po e bën Qeveria e Kosovë lidhur me zhvillimin ekonomik të vendit si dhe kapjen e bordeve publike nga politika. /Telegrafi/