LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Me 100 euro politike nuk mbulohet kriza e as nuk ofrohet zgjidhje ekonomike

Mustafa: Me 100 euro politike nuk mbulohet kriza e as nuk ofrohet zgjidhje ekonomike

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka kritikuar vendimin e Qeverisë për ndarjen e 100 eurove për muajin prill për pensionistët, punëtorët e sektorit privat e publik dhe studentët, duke e cilësuar si “lëmoshë”.

Mustafa ka thënë se këto mjete financiare të ndara për qytetarët, nuk mund t’i mbulojnë, siç ka thënë ai, skandalet e Qeverisë.


“Qytetarët kanë nevojë për zhvillim ekonomik afatgjatë e jo lëmoshë të skemave sociale. Po ashtu, i bëjmë thirrje Qeverisë që të angazhohet në investime kapitale. Sepse me 100 euro politike nuk mbulohet kriza e as nuk ofrohet zgjidhje ekonomike. Me 100 euro nuk mund të mbulohet skandali i shkeljes së Kushtetutës. Nuk mund të mbulohet as nepotizmi i skajshëm ose afera super pronto e konkursit në KEK. Pra, me 100 euro politike nuk mund të fshihet paaftësia”, ka thënë Mustafa në një konferencë për media të mbajtur të martën, raporton Telegrafi.

Deputeti Mustafa theksoi se LDK mbështet ndryshimet ligjore për tërheqjen e një përqindje të caktuar të mjeteve prej Trustit.

“Sa i përket Trustit, LDK e përkrah si ide në mungesë dhe paaftësi të qeverisë. LDK vlerëson se i vetmi opsion mbetet tani më që t’u lejohet qytetarëve të tërheqin një përqindje të caktuar të mjeteve në Trust. Por, për t’u analizuar në mënyrë të qëndrueshme financiare, LDK insiston që qeveria fillimisht të përcaktojë nivelin e përqindjes së përballueshme për Trustin dhe t’u ofrohet qytetarëve një garanci që këto fonde pastaj do të rimbursohen në Trust, dhe kjo të ndodhë në plan afatshkurtër, në mënyrë që ata qytetarë që i tërheqin mjetet të mos shndërrohen në raste sociale”, theksoi ai.

Kurti prezanton Pakon e re: Nga 100 euro për punëtorët e sektorit privat e publik, studentët dhe pensionistët
Lexo po ashtu Kurti prezanton Pakon e re: Nga 100 euro për punëtorët e sektorit privat e publik, studentët dhe pensionistët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar të martën se për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat e publik dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro. Sipas tij, vlera totale për këtë ndihmë do të jetë rreth 100 milionë euro.

Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se pensionistët këtë shtesë do ta marrin qysh në muajin prill, ndërsa për kategoritë tjera do të duhet pak më shumë kohë, pasi do të hapet procesi i aplikimit./Telegrafi/