Një burrë 48-vjeçar nga fshati Mushtisht i Suharekës është dërguar pa shenja jete në Qendrën Komunale të Mjekësisë Familjare (QKMF).

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.


Ai ka bërë të ditur se sipas mjekut kujdestar, dyshohet që vdekja ka ardhur si pasojë e bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes nga ushqimi.

“Sipas mjekut kujdestar dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes nga ushqimi. Në ora 12:50 është konfirmuar vdekja”, ka deklaruar Bytyqi.

Sipas të dhënave fillestare, viktima me inicialet B.H. ishte duke ngrënë në shtëpinë e tij kur i është përkeqësuar gjendja dhe ka humbur vetëdijen.

Familjarët kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë, ndërsa më pas e kanë transportuar me urgjencë në QKMF.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.