LAJMI I FUNDIT:

​Murati: Synimi i strategjisë 2022-2030 është adresimi gjithëpërfshirës për vendin

​Murati: Synimi i strategjisë 2022-2030 është adresimi gjithëpërfshirës për vendin

Gjatë raportimit të Qeverisë së Kosovës në Kuvend rreth progresit në përfshirjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm në legjislacion, politika dhe buxhet, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati theksoi se strategjia kombëtare e zhvillimit 2016-2021, ka mangësi në disa sektorë.

Ai tha se strategjia kombëtare e zhvillimit e aso kohe nuk ka qenë gjithëpërfshirëse, duke shpërfaqur mungesën e një vizioni adekuat për shëndetin dhe një fokus shumë të ngushtë në sektorin e drejtësisë.


Prandaj për këtë, ministri Murati theksoi synimi i strategjisë 2022-2030 nga qeveria aktuale është që të jetë gjithëpërfshirëse dhe të përafrohet me 17 objektivat për zhvillim të qëndrueshëm.

Murati theksoi se qeveria ka miratuar programin legjislativ, i cili përmban gjithsej 130 projektligje për këtë vit.

“Strategjia kombëtare e zhvillimit 2016-2021 ishte hartuar përpara se të finalizoheshin objektivat për zhvillim të qëndrueshëm, prandaj, në vlerësimin e bërë, strategjia është në përputhje me 12 objektivat nga 17 dhe 22 indikator nga gjithsej 169 indikator të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Ka mangësi në disa sektor, meqë strategjia kombëtare e zhvillimit e aso kohe nuk ka qenë gjithëpërfshirëse, duke shpërfaqur mungesën e një vizioni adekuat për shëndetin dhe një fokus shumë të ngushtë në sektorin e drejtësisë. Andaj, synimi i strategjisë 2022-2030, është që të jetë gjithëpërfshirëse dhe të përafrohet me 17 objektivat për zhvillim të qëndrueshëm duke pasqyruar më mirë të gjithë agjendën 2030. Ne po punojmë me partnerët ndërkombëtar, me agjencitë e OKB-së për të siguruar përafrim me agjendën kombëtare të zhvillimit”, theksoi ai.

Deputetja nga PDK-ja, Ganimete Musliu pati kritika se si deputetë nuk kanë pranuar raport nga qeveria.

“Ne nuk kemi marrë një raport nga qeveria që sot do të mundim përmes debatit që sa do pak të japim kontributin tonë si deputet, mendimin dhe idenë se nga dëshirojmë me shkua. Sot e kemi marrë në fillim të seancës një farë lloje doracaku që i përmbledh objektivat dhe nuk kemi material tjetër, i vetmi material që ne për këtë rend të ditës e kemi, është kjo. Prandaj, si GP i PDK-së këtë informatë e përkrahim”, theksoi ajo, raporton kp.

Në vazhdimin e seancës së sotme, deputetët kanë vazhduar punën për formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të bordit të RTK-së nga radhët e komunitetit serb.

Nga VV-ja është propozuar për kryetar, deputeti Fitim Haziri me anëtarë të tjerë. PDK-ja ka propozuar dy anëtarë, Isak Shabani dhe Mërgim Lushtakun. LDK-ja ka propozuar si zëvendëskryetar të parë të komisionit, Agim Veliun. AAK-ja propozoi anëtar Albana Bytyqin. Duda Balje është propozuar nga komuniteti multietnik. Komisioni për zgjedhjen e një anëtari të bordit të RTK-së u zgjodh me këtë përbërje.

Tani deputetët janë duke debatuar lidhur me raportin për vendin për vitin 2021.