LAJMI I FUNDIT:

Murati: Mbi 10 milionë euro janë investuar në Bonot e Diasporës

Murati: Mbi 10 milionë euro janë investuar në Bonot e Diasporës

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se 10.43 milionë euro janë investuar në Bono të Diasporës.

Në profilin e tij në Facebook, Murati ka thënë se mjetet nga këto letra me vlerë do të përdoren për të mbështetur prodhuesit vendorë në kuadër të Masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.


“Ky emetim u përmbyll me sukses, duke arritur shumën totale prej mbi 10 milionë euro në emetimin e parë. Mjetet nga Bonot e Diasporës ne do t’i përdorim për të mbështetur prodhuesit vendorë në kuadër të Masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, dhe që tani do ta përcjell propozim vendimin për mbledhjen e radhës së Qeverisë”, shkruan Murati.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Financave dhe bankat komerciale partnere për lëshimin e bonove të Thesarit për diasporën.

Shuma totale e paraparë për këto bono është 20 milionë euro, me mundësi rritjeje deri në 50 për qind, nëse do të ketë kërkesa.

Për ata që blejnë bono të Thesarit me kohëzgjatje trevjeçare, interesin që do ta marrin do të jetë 1.2 për qind, kurse për paratë e investuara për pesë vjet, interesi do të jetë 2.2 për qind.

Kuponi i parë i interesit do të paguhet në muajin shkurt, kurse i dyti në gusht dhe kështu do të vazhdojë pagesa çdo gjashtë muaj, deri në përfundimin e marrëveshjes. Krejt në fund, kur përfundon koha e maturimit, personi që i ka lëshuar kredi shtetit, i merr të gjitha paratë e investuara. /Telegrafi/