Orar i stërzgjatur i punës, mohim i pushimit vjetor, punë pa kontratë, pagë e ulët e me vonesa – janë ankesat që, ndër vite, kanë shprehur punëtorë të sektorit privat në Kosovë.
Shumë prej tyre janë raportuar shpesh edhe në Inspektoratin e Punës, por nga Sindikata e punonjësve të sektorit privat thonë se ato kanë kaluar pa u përfillur.
Kryetari Jusuf Azemi thotë se, për pasojë, Kosova ka arritur në një gjendje të vështirë ekonomike: me biznese që ankohen se nuk gjejnë punëtorë dhe me të papunë që s’duan të punojnë.
“Punëtorë e të rinj të shumtë në Kosovë po ikin jashtë vendit… Nuk duan të jetojnë më me shpresën se do të bëhet mirë. Nuk duan të punojnë në kushte jo të mira të punës e me paga të ulëta”, thotë Azemi.
Gjatë vitit 2021, Inspektorati i Punës ka pranuar mbi 5,000 ankesa nga palë, që kanë konsideruar se u janë shkelur të drejtat në vendin e punës.
Të dhënat e tij për vitin e kaluar tregojnë, po ashtu, se nëntë qytetarë kanë humbur jetën në vendin e punës, 40 kanë marrë lëndime të rënda dhe 139 lëndime të lehta.
Zyrtarë të këtij institucioni kanë thënë se duhet përmirësuar kushtet e punës – në të kundërtën, punëtorët do të ikin.
Më 12 qershor, Radio Evropa e Lirë ka sjellë rrëfimin e Imer Durakut, një fermer nga fshati Krushë e Madhe, i cili kultivon kultura të ndryshme bujqësore, por ka problem me gjetjen e punëtorëve sezonalë.
Pagesa që ofron është 20 euro në ditë, ose deri në 420 euro në muaj.
Shumë përdorues të rrjeteve sociale, që kanë komentuar rrëfimin e tij, thonë se nuk do të punonin për kaq para.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa dhe njëri prej tyre, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, thotë se, deri para 4-5 vjetësh, ka punuar si elektricist në një kompani private në Kosovë, me një pagë mujore prej 500 eurosh.
Por, siç tregon ai, punëdhënësi nuk e ka paguar me rregull, i ka kërkuar të punojë përtej orarit dhe shpesh pa ditë pushimi – çfarë e ka detyruar të lërë punën.
Nga viti 2018, thotë se ka emigruar në Gjermani me vizë pune, ndërsa një vit më vonë ka marrë edhe gruan dhe tre fëmijët.
“Këtu [në Gjermani] është gjë e sigurt që pagën e merr me kohë, që ke sigurim shëndetësor… Nuk është e lehtë jeta as këtu, por ka rregulla që respektohen. Edhe këtu duhet të punosh shumë për të jetuar dhe për të pasur standard të mirë”, thotë 47-vjeçari.
Sikur të respektoheshin të drejtat e punëtorëve dhe pagat të ishin më të larta, ai thotë se do të kthehej në Kosovë.
Ambasada gjermane në Prishtinë ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se, brenda vitit, lëshon rreth 5,500 viza pune për aplikimet që bëhen nga qytetarët e Kosovës.
Sektori privat vs. sektori publik
Ligji i Punës në Kosovë parasheh 40 orë pune në javë, kontratë pune, pushim vjetor me pagesë e të tjera.
Punëdhënësi më i madh në Kosovë është sektori privat, me më shumë se 220 mijë të punësuar. Paga mesatare bruto në këtë sektor është rreth 380 euro.
Në sektorin publik janë të punësuar mbi 80 mijë persona, ndërsa paga mesatare bruto atje është rreth 620 euro.
Nga sektori publik nuk raportohen probleme me mosrespektimin e Ligjit të Punës, e as me mungesë punëtorësh.
Bujqësia, gastronomia, ndërtimtaria dhe tregtia raportojnë më së shumti vështirësi në gjetjen e punëtorëve.
Mbi 750 mijë qytetarë – ekonomikisht joaktivë
Sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), papunësia në Kosovë është mbi 25 për qind.
Të dhënat e fundit të ASK-së për tregun e punës tregojnë se nga mbi një milion qytetarë në moshë pune në Kosovë, mbi 350 mijë janë të punësuar, ndërsa mbi 120 mijë janë të papunë.
Sipas ASK-së, rreth 750 mijë qytetarë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.
Si ndikon mungesa e punëtorëve në ekonomi?
Mungesa e punëtorëve do të bëhet një nga pengesat kryesore të rritjes ekonomike në Kosovë, thotë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka.
“Trendi pozitiv i rritjes ekonomike që kemi parë gjatë disa viteve – përjashto vitin 2020 [pandemia COVID-19] – nuk do të arrihet dhe kjo për shkak të mungesës së fuqisë punëtore”, thotë Zeka.
Për të zbutur problemin, ai thotë se duhet të bëhen përpjekje nga të gjithë – duke filluar nga institucionet deri te punëdhënësit, të cilët duhet të shqyrtojnë, para së gjithash, nivelin e pagave.
Zeka thotë se mosadresimi i kësaj problematike nga Qeveria e Kosovës, është shqetësues.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa herë kabinetin e kryeministrit të Kosovës në lidhje me këtë çështje, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.
Kalludra: Ka punëtorë, nuk ka kushte
Shpëtim Kalludra, udhëheqës i Divizionit për zhvillimin e masave aktive të tregut të punës dhe analiza, pranë Agjencisë së Punësimit, thotë se punëtorë ka – mbi 60 mijë punëkërkues janë të regjistruar, thotë ai.
“Kur numri i punëkërkuesve në Agjencinë e Punësimit të bjerë në 10 mijë, atëherë mund të themi se punëdhënësit kanë të drejtë”, thotë Kalludra.
Sipas tij, pagat e ulëta dhe kushtet jo të mira të punës kanë bërë që punëdhënësit të ballafaqohen me mungesa punëtorësh.
Pagë 180 euro
Radio Evropa e Lirë ka biseduar me një punonjës në Kosovë – bartës i një familjeje 6-anëtarëshe – që thotë se paguhet 180 euro në muaj.
J.D. – emri i plotë i të cilit është i njohur për redaksinë – thotë se punon në një kompani private pastrimi.
“Këtu ku punoj, orari i punës respektohet, edhe ditët e pushimit, edhe kemi kontrata, por paga është e ulët. Në këtë kompani punoj qe 10 vjet. Në fillim, pagën e kam pasur 130 euro, tani e kam 180 euro”, thotë ai.
Me shumë të ngjashme në Kosovë, sipas një studimi të bërë nga Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP, paguhen rreth 105 mijë punonjës.
Ata kryesisht punojnë në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, në industrinë përpunuese, në gastronomi, në aktivitetet financiare dhe të sigurimit, në ndërtimtari etj.
Kuvendi i Kosovës, më 14 qershor, ka votuar në parim një projektligj, që hap rrugë për rritjen e pagës minimale: nga 130-170 euro sa është aktualisht, në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.
Sindikatat e punëtorëve janë ankuar edhe për këtë rritje që pritet, duke thënë se nuk u përgjigjet nevojave të qytetarëve.
Kosova, si shumë vende të botës, po përballet me rritje të inflacionit, që ka nisur me pandeminë COVID-19 dhe ka marrë hov pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit në muajin maj është rritur për 12.5 për qind, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Speciale Kriza në Ukrainë
Më shumëNga Rubrika

Të rejat nga Ermal Mamaqi: Cili është projekti i tij i radhës?

Djegia e objektit të ELKOS Center, Kelmendi: Biznesi ka qenë i siguruar – sipas kontratës kompensimi është 90 për qind

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë vizitoi kompaninë ELKOS Group, pas incidentit me zjarr

Qeveria miraton Projektligjin për tatimet, ministri Murati tregon se kush do të përfitojë nga falja e tatimit për vitin 2023

Këto janë lagjet që pritet të futen në sistem të ngrohtores, Osmani tregon për shtrirjen e rrjetit të Termokosit në Prishtinë

Punimet për siguri të sistemit, KEDS tregon vendet ku do të ketë ndërprerje të rrymës të shtunën

Gjermania miraton Projektligjin që lejon ardhjen e 50 mijë punëtorëve në vit nga Ballkani, këto janë lehtësimet për t'u pajisur me vizë

Punime për siguri në rrjet, KEDS tregon vendet ku do të ketë ndërprerje të rrymës të premten

Në librarinë “Dukagjini” promovohet libri “Pse s’ma ka thënë njeri më parë” i autores Julie Smith

Kjo është lagjja e kryeqytetit në të cilën duhet të posedoni një banesë

Kjo banesë është zgjedhja më e mirë për ju #176

A po kërkoni të tërheqni një audiencë të gjerë ose të krijoni një qendër të re aktiviteti në Pejë? Ky vend është ideal

Brezovica – një parajsë në viset malore për vilën tuaj të ëndrrave

Ideale për të gjitha llojet e bizneseve – këto lokale në Lakrishtë janë vendi për startin e biznesit tuaj

Nga brendi Nike dhe të dizajnuara për futboll këto atlete janë perfekte për fëmijët që luajnë profesionalisht

A jeni tip sportiv? Atëherë kjo trenerkë e sipërme duhet të jetë zgjedhja juaj e radhës

Shfrytëzoni zbritjen e fundit për veshmbathje të dimrit – çmimet më të konvenueshme fillojnë me pranverë

Elegant në çdo prekje – ky kostum gri kombinohet në mënyrë perfekte me kravatë të kuqe

Këto janë atletet perfekte për në fushën e basketbollit
Më të lexuarat

Qeveria miraton Projektligjin për tatimet, ministri Murati tregon se kush do të përfitojë nga falja e tatimit për vitin 2023

Mirë se vini në Telegrafin e ri - Shokun që ka ndryshuar!

Vuçiq: Kam marr vendim që mos t'i vëmë sanksione Rusisë

Vuçiq e kritikoi gazetarin serb, sepse e pyeti për targat RKS

Bruno: Të gjithë banorët e Big Brother VIP Kosova janë paguar

Xavi e ka Messin në çdo plan për sezonin e ri - kështu do të dukej Barcelona me argjentinasin në një pozitë më të tërhequr