A mund të fitojë politikisht Trumpi nga përballja me drejtësinë?

Donald Trump ka jetuar gjithë jetën duke u munduar të provojë teorinë se i gjithë publiciteti është publicitet i mirë.
Dalja në gjykatë të martën si i pandehur për krime pritet që në ditët në vazhdim të merr rezultatet e para të kësaj klisheje.
Ky rast sigurisht që e ka vënë sërish në qendër të vëmendjes botërore, raporton bbc.
Udhëtimi nga Mar-a-Lago, shtëpia e tij në Florida, në New York u transmetua drejtpërdrejt në disa stacione televizive amerikane.
Ai me sa duket ka diskutuar me këshilltarët se si duhet të paraqitet gjatë gjithë procesit gjyqësor - duke buzëqeshur apo të shfaqet i zymtë dhe serioz?
Duam apo s'duam kjo ditë e gjykimit është gjithashtu një ngjarje e parafushatës zgjedhore.
Pyetja kryesore është nëse Trumpi mund ta kthejë me të vërtetë një ndjekje penale në një pasuri elektorale?
Që nga shpallja e aktakuzës kundër tij, zyrtarët e fushatës së Trumpit janë mburrur sesa para kanë mbledhur (mbi tetë milionë dollarë, thonë ata) dhe citojnë sondazhe që sugjerojnë se është rritur epërsia ndaj kundërshtarëve republikanë për nominimin presidencial.
Nuk është e qartë nëse një personazh kaq i njohur publik si Trump do t'i duhet të bëjë “mugshot foto” (fotografimin në profil si akuzuar) - por tashmë ish-zëdhënësi i tij i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley ka deklaruar me shaka se "do të jetë fotografia më burrërore, më mashkullore dhe më e bukur e të të gjitha kohërave".
Sigurisht që kjo është një lojë e kampit të fushatës së Trumpit, transmeton Telegrafi.
Ajo që është veçanërisht interesante është të shikosh mënyrën në të cilën kundërshtarët politikë të Trumpit brenda partisë republikane janë 'detyruar' të dalin në mbrojtje të tij.
Ron DeSantis, Guvernatori i Floridës, tha se "'Armatosja' e sistemit ligjor për të avancuar një agjendë politike, po e përmbyt rendin ligjor".
Ai tha se nuk do të bashkëpunonte me askënd nëse do t'i kërkohej që ta ekstradojë Trumpin nga Florida në New York.
Ish-zëvendëspresidenti i Trumpit, Mike Pence tha se aktakuza dërgoi një mesazh të tmerrshëm për botën dhe drejtësinë amerikane.
Ata padyshim besojnë se kjo është ajo që votuesit e tyre duan të dëgjojnë.
Pra, ndoshta Trumpi mund të përdorë një gjyq penal dhe ta kthejë në avantazh politik gjatë zgjedhjeve paraprake kur republikanët besnikë do të votojnë.
Por e njëjta taktikë mund të dështojë kur bëhet fjalë për zgjedhjet e përgjithshme.
Në të gjithë SHBA-në, nga Georgia në Wisconsin, shumë votues të pavarur thonë se u pëlqenin politikat e Trumpit kur ishte në detyrë, por tani janë lodhur nga kaosi dhe drama që e rrethon ish-presidentin amerikan.
Duke e kthyer një ndjekje penale në një spektakël politik, ai rrezikon të largojë vetë votuesit që do t'i duheshin për të rifituar Shtëpinë e Bardhë në nëntor të vitit 2024.
John McGuigan është një mbështetës i guximshëm i Trumpit. Ai mendon se kjo çështje gjyqësore do të ndihmojë fushatën presidenciale të ish-presidentit amerikan.
“Ata që tashmë janë të bindur se Donald Trumpi është djalli në formë njerëzore nuk do të preken nga rezultati, as edhe mbështetësit e fortë të Trumpit”, tha ai.
"Për ata votues që janë diku në mes, kjo mund të përfundojë të jetë më shumë një aset sesa një dëm për fushatën e Trumpit në vitin 2024", përfundoi ai.
Ndryshe, Trump është bërë presidenti i parë aktual ose ish-presidenti që akuzohet për një krim – duke shënuar një kapitull të ri në historinë amerikane.
Ai është deklaruar i pafajshëm për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit dhe konspiracion për rolin e tij të dyshuar në pagesat e fshehura, për dy gra në fund të fushatës së tij presidenciale të vitit 2016, transmeton Telegrafi.
Tani aktakuza – një akuzë formale – është zbuluar për publikun, dhe më poshtë ju listojmë disa nga akuzat me të cilat përballet Trump.










































