LAJMI I FUNDIT:

MSA rrezikon importuesit nga Serbia dhe prodhimet e saj

MSA rrezikon importuesit nga Serbia dhe prodhimet e saj

Importi i mallrave nga vendet e CEFTA-s në Kosovë, po vazhdon të jetë në rritje kundrejt eksportit të prodhimeve vendore e në veçanti nga Serbia.
“MSA-ja dhe zbatimi i saj në Kosovë është vlerësuar nga AKB-ja si një e arritur integruese. Dhe parakusht për liberalizimin e lëvizjes së lirë të bizneseve dhe qytetarëve të saj drejt BE-së”, tha Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve në konferncën me temën “MSA rrezikon importuesit dhe prodhimet e Serbisë, përparësitë dhe rreziqet e kësaj Marrëveshje, çka fiton dhe humb ekonomia e Kosovë”.

Kreu i AKB-së foli edhe rreth efekteve dhe ndikimit të saj kundrejt marrëveshjes CEFTA, ku tha se përparësitë e saj janë të mëdha për një vend që ka prodhim vendor për eksport, rasti i Kosovës është një konkurrencë më e ashpër kundër prodhuesit vendor.


Sipas tij Qeveria e Kosovës, duhet ti hartoj politikat ekonomike dhe zhvillimore me konkurruese karshi vendeve të CEFTA-së dhe BE-së nëse nuk dëshiron ti rrezikoj prodhuesit e Kosovës.

Ai shtoi se Kosova përfiton treg me 500 milionë konsumator, eksport pa taksa doganore në BE, produkte më të lira nga importi nga BE-ja, rreth 650 milionë euro asistencë për reforma, barazohet me vendet e Ballkanit Perëndimor, konkurrencë më të madhe të produkteve të BE-së në tregun kosovar dhe plotëson këtë standard drejt integrimeve të EU-së.

Ekonomia e Kosovës nga kjo humb mbi 25 milionë euro vjelje të taksave doganore këtë vit më pak. Nëse nuk i nënshtrohet reformave dhe kushteve të nënshkruara në marrëveshjen e MSA-s humb gjithçka dhe ndëshkohet rëndë. Humb fuqinë konkurruese prodhuesi vendor nëse nuk reformohen politikat.

MSA-ja në konkurrencë me CEFTA-në, ku 28 vende të BE-së futen në konkurrencë të drejtpërsëdrejti, kundrejt 7 vendeve nga marrëveshje e CEFTA-s e nënshkruar në vitin 2005. “Kjo është një mundësi e re për bizneset dhe qytetarët e Kosovës që deri më tani nuk e kishin, jo pse ne nuk dëshmonim po pse ata nuk e pranonin Kosovën në këtë treg të madh”, tha Shahini.

Kryetari i AKB-së, shtoi se politikat e zbatuara në Kosovë ishin tepër pro CEFTA-s dhe nga kjo nuk arritëm të rrisim prodhimin e vendit e për kundrazi konkurrenca asnjëherë nuk ishte e drejt.

“Tash më kur kemi MSA-në, seriozisht rrezikohen importuesit dhe prodhimet e Serbisë, kjo nuk është e mirëseardhur për prodhuesit e përfaqësuesit e Serbisë në Kosovë që vetëm këto dy vitet e fundit i kanë importuar rreth 800 milionë euro si shifra zyrtare, ndërsa përmes rrugëve ilegale shifrat jozyrtare përllogariten mbi 35% e që janë rreth 280 milionë euro”, tha Shahini.

Sipas tij, Kosova dhe BE-ja përmes marrëveshjes së MSA-së paraqesin partneritetin e parë kontraktual ndërmjet dy tregjeve dhe është hapi i parë drejt anëtarësimit të Kosovës në BE deri te anëtarësimi i plotë i Kosovës në BE.

Kjo do të ndodhë përmes aplikimit formal, drejt marrjes së statusit kandidat, negociatat do të ndodhin mes Prishtinës dhe Brukselit dhe kushtëzohen me përmbushjen e obligimeve të nënshkruara me MSA-në.

MSA-ja sjell edhe politikisht e ekonomikisht edhe më shumë, ku Kosova detyrohet të reformohet në drejtim të një ekonomie të tregut në tri shtylla: çështjet legjislative ato tregtare, dhe strukturat qeverisëse me standardet evropiane.

Kjo është një marrëveshje asimetrike me tregun e BE-së që do të liberalizohen nga tre, pesë dhe shtatë vite. Kushtet nga MSA-ja, përgjegjëse janë institucionet qeveritare, të cilat do të duhet të implementojnë reformat e kërkuara në shumë sektorë.

Ai shtoi se komuniteti i biznesit do të duhet të rrisë konkurueshmërinë e produkteve që garojnë në tregun dhe të përballojnë konkurrencën nga BE-ja.
MSA-ja është një lajm shumë i mirë për Kosovën. Përfitimet dhe humbjet varen nga vetë Kosova dhe kjo marrëveshje është në fuqi, tash duhet të punojmë secili sipas përgjegjësisë institucionale.

Suad Berisha, nënkryetar i AKB-së dhe pronar i kolegjit Universum, vlerësoi lartë marrëveshjen nga e cila vendi jonë përfiton treg me mbi 500 milionë konsumatorë dhe gjëra tjera. Sipas tij bizneset kosovare do të përfitojnë nga kjo marrëveshje.

Ekonomia e Kosovës, sipas tij, përmes MS-së përafrohet me atë të BE-së.

Bashkim Osmani, nënkryetar i AKB-së dhe pronar i fabrikës së lëngjeve Laberion Dona, vlerësoi lartë marrëveshjen, duke përmendur edhe përparësitë që sjell ajo. “MSA-ja ka një rëndësi të madhe, pasi që mundësia e prodhuesve kosovar ka qenë e kufizuar”, tha ai.

Sipas tij, kjo krijon mundësi të reja dhe tregje të bollshme për të eksportuar, duke shpresuar se do të kenë rezultate.

Muharrem Osmani, anëtar i bordit dhe prodhues i detergjenteve likuide Eurocomerc, vlerësoi si të rëndësishme marrëveshjen, nga e cila mund të kenë përfitime prodhuesit kosovar.

Ai kërkoi nga institucionet që të organizojnë trajnime të kësaj fushe me qëllim që eksportet nga Kosova të jenë më konkurruese në tregun e madh.

Qeveria të jetë më e kujdesshme me prodhuesit, të caktojë kosto më të volitshme, që të jemi të barabartë evropian. /Telegrafi/