LAJMI I FUNDIT:

Mrekullia akustike e shekullit XVII

Mrekullia akustike e shekullit XVII

Nga: Simon Heffer / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Në vitin 1684, Salla e kompanisë së të drejtave të autorit – Stationers’ Hall – që ende qëndron nën hijen e Katedrales së Shën Palit, u bë vendi i manifestimeve që shënonte Festën e Shën Sesilias, që i bie më 22 nëntor. Në Mesjetën e vonë, Sesilia, një martire kjo e hershme e krishterë, evoluoi në mbrojtëse të muzikës. Për këtë, pjesërisht fajtor ishte Çoseri [shkrimtari Geoffrey Chaucer], i cili në Përrallën e Dytë për Murgeshën shkroi se Sesilia këndonte teksa lutej para dasmës së saj dhe se ajo shoqërohej nga muzikantët. Ideja për të si shenjtore e muzikës, u përhap në Evropën Perëndimore, por qyteti i Londrës ishte veçanërisht i vëmendshëm ndaj saj. Në gjysmën e dytë të shekullit XVII, muzikantët për çdo javë luanin në Tavernën Castle në rrugën “Fleet Street”. E filluan festën e nëntorit, që u zhvendos në kompaninë e sipërpërmendur.


Salla e kompanisë aktualisht shënon 350-vjetorin e ndërtimit. Kompania Stationers’ u formua në vitin 1403. Kontrollonte atë që më vonë u bë e njohur si e drejta e autorit dhe u bë e pasur me rritjen e popullaritetit të fjalës së shtypur. Kompania gjithashtu e kishte fuqinë për të sekuestruar librat që cenonin standardet e vendosura nga kisha ose që ishin në kundërshtim me politikat e shtetit. Nga viti 1606, u vendos në Shtëpinë Abergavenny në rrugën “Ave Maria Lane”, por gjashtë dekada më vonë ajo ndërtesë ishte viktimë e Zjarrit të Madh.

Megjithatë, kjo mundësoi që të ndërtohej një tjetër sallë e bukur, e cila u hap në vitin 1673; dhe, pasi mrekullisht u mbijetoi bombave gjermane, salla kryesisht është ashtu siç ishte ndërtuar atëherë, me një enterier të shkëlqyeshëm me punimet më të mira të drurit dhe me mozaikët e xhamave – përfshirë dritaren që i dedikohet vetë Shën Sesilias. Dizajneri i sallës besohet të ketë qenë muratori Robert Wapshott. U rimodelua gjerësisht në vitin 1800 nga Robert Mylne, dhe tiparet e ndryshme zbukuruese përshkruhen nga historiani Nikolaus Pevsner si “kolazh i punës së çdo shekulli, që nga Zjarri i Madh, pjesa më e madhe me cilësi të lartë”.

Karakteristika më e spikatur janë veshjet me panele të punuara nga Stephen Colledge, i njohur si “marangozi protestant” – për shkak të reputacionit të tij të egër si anti-katolik. Brendësia e sallës është vepra e tij kryesore e mbijetuar; ai u çua kundër mbretit Charles II, për arsye doktrinore, dhe më 1681 u var. Pjesa në skajin jugor të sallës nuk është e tij, por vepër e Henry Foordit, një figurë më pak e diskutueshme; është shumë zbukuruar dhe, në mënyrë të përshtatshme, duke pasur parasysh lidhjen e kompanisë me shenjtëreshën Sesilia, është e mbuluar nga galeria e muzikantëve. Salla njihet për akustikën më të mirë dhe një koncert për Festivalin e Shën Sesilias mbahet aty më 18 nëntor, ku Simfonia Britten performon një përzgjedhje të muzikës britanike – nga Purcelli dhe Handeli e deri te Britteni dhe Michael Berkeley.

Është kënaqësi e rrallë të dëgjosh muzikë kaq të mirë në një mjedis kaq të shkëlqyeshëm arkitekturor dhe me lidhje kaq të fortë historike që daton për më shumë se tre shekuj. Është pikërisht ajo gjë që pa dyshim do ta kishte shijuar shenjtorja që këndoi në prag të dasmës së saj. /Telegrafi/