LAJMI I FUNDIT:

Mosnjohja e certifikatës së vaksinimit, problem për kosovarët

Mosnjohja e certifikatës së vaksinimit, problem për kosovarët

Qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër shtete të ndryshme evropiane thonë se po hasin shpesh në probleme me njohjen e certifikatës së vaksinimit të lëshuar nga institucionet e Kosovës.

Eljon Kollçaku thotë se gjatë udhëtimit të tij në Zvicër nuk iu njoh certifikata e vaksinimit e lëshuar nga institucionet e Kosovës.


“Më ka rastisur në Zvicër që në momentin që kam dashur të futem në restorane apo lokale, më ka nxjerrë problem dhe nuk më kanë lejuar të futem brenda pasi që nuk pranohet QR kodi që kanë vaksinat e Kosovës”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Eljon Kollçaku.

Përvojë të ngjashme të hidhur ka pasur edhe një qytetarë tjetër që kishte udhëtuar jashtë vendit.

Ajo nuk ka dashur të identifikohet para kamerës, thotë se në Gjermani i është lejuar të futet në vende publike vetëm me mirëkuptim, përcjell Telegrafi.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se shtetet në mënyrë individuale pranojnë apo jo certifikatat e vaksinimit të lëshuara nga Kosova.

“Jemi në fazën kur QR kodi i vaksinave duhet të bëhet i lexueshëm edhe kur jemi offline pa pasur nevojën e internetit. Aktualisht kodi është i lexueshëm vetëm kur ka internet. Çështja ka të bëjë vetëm në aspektin teknik”.

Kodi QR ofron informacione për llojin e vaksinës, vendi ku është kryer vaksina dhe sa doza janë kryer./Telegrafi/