LAJMI I FUNDIT:

Mos vidhni më pak se herën tjetër, ndryshe nuk do të pranohen rezultatet e zgjedhjeve!

Mos vidhni më pak se herën tjetër, ndryshe nuk do të pranohen rezultatet e zgjedhjeve!

Behxhet Sh. Shala

Garanci për (mos) vjedhje të votës


Realisht jemi shoqëri e ndershme, sepse nuk vjedhim aty nuk na ofrohet mundësia. Ata që nuk na njohin sa duhet dhe si duhet, pas përfundimit të zgjedhjeve të fundit na akuzuan se kemi vjedhur votat madje, për herë të parë u përfol se pati vjedhje industriale të votave ndonëse në Kosovë industria është zero e zhvilluar. Na është cenuar dinjiteti dhe morali, pa dyshim! Mirëpo, këtë e kemi nga miqtë tanë, prandaj disi e përballuam ndryshe: kishte kërsitë alltia qoftë edhe ajo joreale, e plastikës nga e cila çuditërisht doli një plumb!

Vetëm te ne ndodhë kjo: nga revolja e plastikës del një plumb i vërtetë! Jemi alkimistë të vërtetë. As unë nuk dyshoj në këtë pohim. Madje, jam i sigurt se këtë do ta vërtetojnë edhe ekspertët e balistikës. Çdo vlerësim tjetër do të ishte joreal dhe përpjekje për dëmtim të imazhit të Kosovës, integrimit në BE, NATO, Organizatën për Integrime Globale Cosa Nostra (ku është e anëtarësuar, por pa të drejtë vote) dhe proceset tjera integruese. Këtë fakt do ta ketë parasysh edhe Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, prandaj edhe duhet të veprojnë në përputhje me të vërtetën absolute se alltia ka qenë e plastikës, ndërsa plumbi i shkrepur është si pasojë e luftës në Siri që nënkupton një rikosheto në trajektoren Siri-Qipro (pjesa turke) – Lampeduza (Itali) – Montenegro-Serbi – pjesa veriore e Mitrovicës, për të përfunduar në Skënderaj! Rrugëtimi i gjatë i këtij plumbi e ka dobësuar forcën goditëse, andaj nuk e ka arritur cakun e paraparë me emrin Gani Geci apo Azem Syla!

Unë, me tërë forcën time e përkrah pafajësinë e Gani Gecit duke ditur se ai gjithmonë ka bartë me vete allti prej plastike, si njeri paqësorë që është! Në kohë të krizës çdo veprim që prodhon humor dhe na bënë të qeshemi është pozitiv. Qoftë edhe nëse bëhet fjala për humor të zi! Jam i sigurt se Policia e Kosovës, si dhe Prokuroria e Shtetit (ajo speciale) nuk do të merret fare me këtë rast, sepse nuk e kanë asnjë argument për hetime eventuale apo zbatim të ligjit kur e kemi ende Kanunin e Lekës! Nuk ka dyshim se roja e njërit Gani ka gjuajtur me revole nga Siria! Këto nuk janë çështje fare serioze, por të merremi tash me ata kriminelë që seriozisht po bëjnë përpjekje të rrënojnë shtetin!

Shtetin po e rrezikojnë seriozisht Bejtë Cullaku për të cilin thonë se e kanë parë me një deng krëndesh të thata që i paska mbledhur në malin e Millutinit te Përroi i Popit dhe të cilin e paskan hetuar vëzhguesit e OSBE-së dhe ata ndërkombëtarë! Si dhe një OJQ e respektuar vendore. Pastaj, korrupsionin po e trashë edhe Rrahim Skeleti që paska vjedhur dy bukë, një litër qumësht, një kilogram krip dhe pesë kokrra vezë në shitoren Ramiz Agës! Xhymshit Teneqja duhet të arrestohet për kontrabandë, mos përmbushje të detyrimeve doganore dhe evazion fiskal, sepse është zënë duke e kaluar kufirin ilegalisht me tri pula, 500 gramë duhan kaçak, dy kilogramë suxhuk pollogu dhe tre kilogramë pasulë tetove! Jashar Veremit i kanë zënë tri pako me antibiotikë kundër tuberkulozit, dy shishe me shurup kundër kollit të keq, katër paketime për dializë pa banderola dhe këtu shteti duhet të tregohet i vendosur!

Në aspektin e sigurisë, lirisë së lëvizjes, normalizimit të marëdhënieve me Serbinë shteti bërë mirë që e zhdëpi me dru Rizah Nurën, i cili, në vend që të duartrokiste e kundërshtoi kryeministrin serb Ivica Daçiq duke ia përmendur robtë e shtëpisë, në kontekst jo fort afirmativ dhe duke e quajtur kriminel një politikan të Millosheviqit i cili është i njohur për qëndrim të drejtë dhe parimor për Kosovën dhe shqiptarët! Definitivisht, ky shtet ka perspektivë!

Po cilat janë garancitë për (mos) vjedhje të votave në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013 ?

1. Përkushtimi ynë i dëshmuar për mbrojtje të votës.

2. Objektiviteti dhe ndershmëria e subjekteve politike për zgjedhje të drejta dhe fer si dhe këmbëngulësia e tyre parimore për të mos keqpërdorur votën e qytetarit.

3. Ndershmëria e dëshmuar e komisionerëve partiakë gjatë numrimit. Raportet e prokurorive si dhe vendimet e gjykatave janë dëshmi shtesë për këtë!

4. Profesionalizmi dhe paanshmëria e KQZ-së gjatë gjithë procesit zgjedhor. Dëshmi për këtë janë listat e përpiluara zgjedhore me një saktësi të pabesueshme ku nuk ka fare diskriminim. Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të drejtë vote, që nga momenti kur lindin në Klinikën e Gjinekologjisë apo në shtëpi, por edhe ata që kanë vdekur që nga viti 1999. (sikur për ligjin për Amnisti). Ka vetëm pak më tepër votues me të drejtë vote se banorë të Kosovës!

5. Vendosmëria e faktorit ndërkombëtar për të luftuar vjedhjen e votave aty ku votojnë shqiptarët. Veriu i Kosovës nuk përfshihet në këtë plan, sepse llogaritet si rajon paqësorë ku nuk ka gjasa të vidhen votat! Beogradi garanton për këtë prandaj nuk kemi pse të dyshojmë edhe ne!

6. Paanshmëria, serioziteti, vendosmëria dhe profesionalizmi i OSBE-së për të organizuar zgjedhje të drejta dhe fer në veri të Kosovës për serbët lokalë, si dhe ata në Kragujevc, Nish, Smederevë dhe qytete tjera të Serbisë ku mund të votojnë të gjithë ata që janë në lista, që duan të hyjnë në lista apo kanë ndonjë dokument identifikimi, që nga Naçertanija e deri më sot!

7. Vendosmëria që në emër të pastërtisë së votimit të hiqen më shumë se 3000 votues shqiptarë në veri të Kosovës dhe në këtë mënyrë krijohen kushte për zgjedhje etnikisht të pastërta!

8. Memorandumet e nënshkruara midis Valdete Dakës, Ismet Kabashit dhe Enver Pecit. Boshti i Treshes gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Marrëveshjet e Trojkës kanë qenë dhe janë përcaktuese për fatin e botës. Edhe shqiptarët gjatë veprimtarisë ilegale kanë zbatuar treshen si formë efikase veprimi!

9. Profesionalizmi dhe përvoja e dëshmuar e një kompanie ondulimi për bartjen e materialit sensitiv nënkupton siguri dhe garanton çethjen e kutive të votimit si dhe rruarjen pa dhimbje të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

10. Prania e madhe e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë. Për mua vlen parimi se ku ka shumë mami, fëmija lind me të meta dhe ku flitet se ka shumë dredhëza, merre shportën e vogël!

Këto, sipas meje janë 10 faktorët kyç për mbrojtje të votave apo 10 mundësi të arta që të përsëritet vjedhja industriale e votave. Realisht mendoj se do të ketë mbiprodhim industrial të vjedhjes së votave shkaku që edhe teknologjia ka përparuar këto katër vite të fundit. E shoqëruar me trajnime të shumta! Uroj shumë të gaboj në këtë parashikim!

Aleksandar Vulin dhe Kodi i Veshjes

Politikanët tanë nuk kanë shije për veshje. Me përjashtim të disa rasteve. Behgjet Pacolli vishet mirë kur e dëgjon Batonin. Batoni është mjeshtër më shumë për zhdeshje, se për veshje! Edhe Hashim Thaçi vishet mirë dhe me shije fine vlerëson veshjen e të tjerëve! Dhe, me kompetencë, gjithashtu. Ishte dhe është i vetmi politikan që ka vërejtur se Aleksandar Vulin nuk po vishet mirë. Edhe Bekim Çollaku vishet mirë. Këtë të metë të Vulinit e ka vërejtur edhe ky. Sikur shefi i vet. Hajredin Kuçi dhe

Bajram Rexhepi nuk e njohin modën. Janë démodé fare. Prandaj, edhe nuk krijuan alibinë e qëndrueshëm për refuzimin e vizitës së Vulinit në Kosovë! Hajra nënshkroi ndalimin për vizitë, ndërsa Bajra rrinte me pranga në duar për arrestimin e Vulinit! Mbase, çështja u bë skajshmërisht e rrezikshme ! Si démodé që janë në fushën e modës, Hajra dhe Bajra injoruan argumentin estetik duke u mbështetur në argumentin politik dhe etik! Edhe baronesha Eshton, si “eksperte “ në planin estetik, e injoroi argumentin politik dhe e përqafoi strategjinë estetike të Hashimit për të ruajtur dhe shpëtuar bisedimet politike! Në fund të fundit, në asnjë mënyrë nuk shkojnë bashkë estetika, politika dhe etika!

Kryeministri ynë e vërejti shumë drejt dhe racionalisht se nuk ka arsye politike për pengimin e vizitës së Vulinit në Kosovë, mirëpo ka arsye estetike prandaj e kushtëzoi këtë vizitë me ndërrimin e ambalazhimit (veshjes) së Vulinit pa kërkuar ndryshimin e përmbajtjes! Realisht, ashtu siç po vishet Vulini nuk po duket si njeri, por si Satanai vet! Veshur në të zeza sikur t’i kishin rënë në supe të gjitha problemet botërore! Në vend të banderolës në krah po e vendosë stemën e Serbisë! Nëse e skenoni figurën e Vulinit do ta shihni se është një mozaik interesant. Lëvizjet i ka si të Shakirës. Sytë dhe tenin sikur të Hajle Berit, ndërsa prapanicën si të Xhenifer Llopezit! Joshjen e ka të magjishme si të Elton Xhonit. Gojën si të Arkanit, ndërsa uniformën si të Kapetan Draganit! Vjell helm të rrezikshëm si mamba, gjarpri i zi në Azi, ndërsa kafshimin e ka si të kobrës mbretërore që e mori në qafë Kleopatrën në Aleksandri!

Prandaj, e kuptoj kryeministër shijen tënde për estetikë mirëpo ta kesh parasysh se djallin e vesh me Prada, Versaçe, Fere, kuq, bardh ose zi mirëpo nuk e bën dot njeri! Dhe nuk kam fare mëdyshje kur pyes: a vërtet kjo po bëhet për përmbushjen e kritereve estetike apo kemi të bëjmë me shkarje të natyrës etike?! Apo po na bëhet edhe një ngulitje politike ?! Më herët për shkak të qëndrimeve politike se veriu po e fiton autonominë më keni cilësuar injorant, me të drejtë sepse jeni i pari i vendit, tash së voni Edi Rama më ka cilësuar si idiot (për shkak të vëllait Erdogan) që e pranoi gjithashtu sepse edhe Rama është i pari i vendit! Ju jam mirënjohës dhe falënderues se me këto cilësime më keni bërë të papërgjegjshëm para ligjit duke më amnistuar nga çdo gjë që e kam bërë, që po e bëjë dhe që do ta bëjë në ardhmen!

Në trend

Më shumë
Historia e pabesueshme e ‘heroit’ që mposhti PSG-në: Pseudonimin e mori për shkak të dhëmbëve, deri në moshën 30-vjeçare ishte në kategorinë e dytë

Historia e pabesueshme e ‘heroit’ që mposhti PSG-në: Pseudonimin e mori për shkak të dhëmbëve, deri në moshën 30-vjeçare ishte në kategorinë e dytë

Ndërkombëtare
Autobusi i PSG-së e la Mbappen në stadium pas humbjes nga Dortmundi, në aeroport shkoi me transport privat

Autobusi i PSG-së e la Mbappen në stadium pas humbjes nga Dortmundi, në aeroport shkoi me transport privat

Liga e Kampionëve
Vrasja e Liridona Ademajt - edhe dy muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët, i dyshuari i katërt mbrohet në liri

Vrasja e Liridona Ademajt - edhe dy muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët, i dyshuari i katërt mbrohet në liri

Drejtësi
Barcelona e hapur për të shitur yllin e madh të ekipit

Barcelona e hapur për të shitur yllin e madh të ekipit

La Liga
Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Magazina
Vedat Muriqi afër rikthimit në Turqi, pritet ta zëvendësojë yllin e madh

Vedat Muriqi afër rikthimit në Turqi, pritet ta zëvendësojë yllin e madh

Ndërkombëtare
Kalo në kategori