Bari i nxirë nuk do të thotë domosdoshmërisht se është tharë përgjithmonë – disa hapa të thjeshtë mund ta ndihmojnë lëndinën të rikuperohet

Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve mund ta shndërrojnë shumë shpejt një lëndinë të gjelbër në një sipërfaqe të thatë dhe të nxirë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se bari ka vdekur.


Ekspertët e Royal Horticultural Society (RHS) shpjegojnë se, te një lëndinë e mirëmbajtur, pjesa mbi tokë mund të thahet gjatë thatësirës, ndërsa rrënjët zakonisht mbeten të gjalla dhe janë të afta të prodhojnë përsëri gjethe të reja sapo të rikthehen reshjet.

Mos e kositni shumë shkurt

Gjatë periudhave të thata, bari ngadalëson rritjen për të ruajtur sa më shumë lagështi dhe energji. Për këtë arsye këshillohet që lëndina të kositet më rrallë dhe bari të lihet pak më i gjatë.

Kositja shumë e ulët gjatë motit të thatë mund ta dobësojë barin dhe ta bëjë më të ndjeshëm ndaj mungesës së ujit. Bari më i gjatë, ndërkaq, favorizon zhvillimin e rrënjëve më të thella. Nëse rritja ndalet plotësisht, ekspertët rekomandojnë të ndërpritet përkohësisht edhe kositja.

Edhe mbetjet e barit të kositur mund të lihen mbi lëndinë, me kusht që të jenë të imëta. Ato veprojnë si një shtresë mbrojtëse, ndihmojnë në ruajtjen e lagështisë dhe ngadalësojnë avullimin e ujit nga toka, transmeton Telegrafi.

Mos nxitoni me ujitjen

Një nga gabimet më të zakonshme është mendimi se lëndina e nxirë duhet ujitur menjëherë dhe vazhdimisht.

Sipas RHS, lëndinat e krijuara mirë zakonisht mund të rikuperohen vetë pas rikthimit të shiut. Për këtë arsye nuk rekomandohet harxhimi i panevojshëm i ujit të rrjetit vetëm për të ruajtur ngjyrën e gjelbër gjatë verës. Përjashtim mund të jenë lëndinat e reja, të mbjella së fundmi, të cilat kanë nevojë për më shumë kujdes. Kur ujitja është e domosdoshme, preferohet përdorimi i ujit të mbledhur të shiut.

Prisni me plehrat

Lëndina e dëmtuar nga thatësira nuk duhet ngarkuar menjëherë me plehra apo preparate kundër barërave të këqija.

RHS rekomandon që trajtime të tilla të shtyhen derisa bari të jetë rikuperuar dhe të ketë rifilluar rritjen aktive.

Vjeshta është koha ideale për rikuperim

Nëse vera e thatë ka lënë zona të rralluara apo të zhveshura, fillimi i vjeshtës është periudha më e përshtatshme për riparimin e lëndinës.

Mund të rimbillen zonat e dëmtuara dhe të përdoren përzierje farash më rezistente ndaj thatësirës. Ekspertët rekomandojnë gjithashtu ajrosjen dhe përmirësimin e tokës, sepse një sistem rrënjor i fortë dhe i thellë e bën barin shumë më rezistent ndaj periudhave të ardhshme pa reshje.

Pra, bari i nxirë pas vapës nuk është domosdoshmërisht i humbur. Shpesh ajo që i duhet më shumë është më pak ndërhyrje, kositje më e kujdesshme dhe pak durim deri në rikthimin e reshjeve. /Telegrafi/