LAJMI I FUNDIT:

Mollët nga Serbia dëmtojnë tregun, fermerët në Korçë kërkojnë zgjidhje

Mollët nga Serbia dëmtojnë tregun, fermerët në Korçë kërkojnë zgjidhje

Sasi të mëdha të mollës kanë mbetur pa u shitur në frigoriferët e juglindjes së Shqipërisë.

Sipas grumbulluesve të mëdhenj të këtij fruti dy janë faktorët, çmimi i lartë kur ky frut u mblodh dhe hyrja e mollës nga importi, kryesisht nga Serbia.


“Ky vit ka qenë vit i vështirë sepse ka patur dëmtime natyrale, dhe një pakice që ngeli e prodhimit pati çmim të lartë, ne që grumbullojmë e morëm me çmim të lartë. Me 7 qind lek. Duke qenë çmimi i lartë nuk konkurrojmë mallin qe vjen nga jashtë, se ka kosto të ulët prodhimi. hyri malli nga jashtë, Serbia, Italia, Polonia. Me pare duke qenë çmimi i ulët nuk kishte shans të hynte nga jashtë, molla nuk po shkon se molla jashtë është më e mirë se e jona”, tha Filion Mujo, fermeri në Zvirinë.

Fermeri Etro Çobani, theksoi se i gjithë problemi është Serbia.

“Fut mall pa doganë, reference e ulët, çmim i ulët. Ne thjesht po rrimë. Fermerët e Korçës bëjnë sehir kur shesin serbët. Gjithë frigoriferët janë rreth 20 mijë ton mollë stok. Jemi ne fund Janari, presim të mbyllë qeveria Serbinë”, u shpreh Çobani.

Ferdinand Ali, një nga fermerët superpotencialë të qarkut të Korçës tregon se zgjidhja e vetme është të rritet referenca në dogana.

“Marrja e masave, këtë e kemi kërkuar në ministri të Bujqësisë, të rriten referencat në doganë e të shitet malli vendas. Paraprakisht është kjo, me mbrapa duhet të ulemi të bëjmë uljen e kostos së prodhimit e fermerët të dalin me tjetër çmim në treg”, tha fermeri Ali.

Janë rreth 15 mijë tonë mollë të pashitura në qarkun e Korçës ndërkohë që së fundmi është mbajtur e një takim me përfaqësues të ministrisë së bujqësisë dhe fermerëve, me qëllim zgjidhjen e këtij problem.