LAJMI I FUNDIT:

Mjerimi i shqiptarëve te “Dorëzimi i Shkodrës” më 1913

Mjerimi i shqiptarëve te “Dorëzimi i Shkodrës” më 1913

Për herë të parë prezantohet në Tiranë një film pa zë i xhiruar në vitin 1913 në Shqipëri. “Rrethimi i Shkodrës” tregon se si jetonin shqiptarët para një shekulli.

Xhirimet e filmit të restauruar janë bërë në përfundim të “Rrethimit të Shkodrës” në vitin 1913, pak para fillimit të Luftës së Parë Botërore kur Shqipëria sapo kishte shpallur Pavarësinë. Filmimet e siguruara asokohe nga operatori i “Pathe Journal” tanimë do të përbëjnë materialin më të vjetër në Arkivin Qendror të Filmit.


Pamjet filmike janë të xhiruara në fushëbetejë, ku operatori rrezikon në çdo çast jetën e tij. Që në fillim të filmit mund të shihet Kështjella e vjetër e Shkodrës dhe kodra e Taraboshit ku janë zhvilluar betejat më të përgjakshme. Mandej pasojat e luftës mbijnë në çdo sekuencë e fotografi; vendi duket i rrënuar ngado. Tensioni zien si për të paralajmëruar se gjërat do të rëndohen edhe më… Shkodra edhe pse në grahmat e fundit përsëri reziston. Armatimi dhe municioni turk tanimë kanë kaluar në duar të malazezëve.

Në “Dorëzimin e Shkodrës”, filmimi të jep mundësinë të shikosh dy anë të medaljes, duke ofruar pamje si ajo e grave malazeze që ndihmojnë burrat për të transportuar materialet ushtarake para se të nisen për në front. Operatori gjatë filmimit ka fiksuar tiparet e ushtarakëve shqiptarë që u vunë në shërbim të malazezëve. Nga ana tjetër, ai përjetëson pamjen e njërit nga komandantët më të moshuar malazezë, i cili kishte afro katër dekada që luftonte kundër turqve. Ndërkohë që si për të kujtuar “Dorëzimin e Shkodrës”, duken pamjet e mbërritjes së princit Mirko dhe trupave malazezë. Por, në fakt ky është vetëm dorëzimi që ne njohim.

Ky material filmik dëshmon në mënyre rrëqethëse tmerret e rrethimit gjashtëmujor që çon në zinë më makabre të bukës. Dy fëmijë që ushqehen me lëvoret e forta të pemëve, një nënë e ulur përtokë që ka përballë fëmijën e saj që po merr frymë i shqetësuar, gati i dorëzuar. Këto pamje të bëjnë të kuptosh dorëzimin e vërtetë të Shkodrës… Uria ka pllakosur të gjithë vendin, dorëzimi është në duart e zgjatura tek banorët, ndërkohë që një ushtar malazez po tregon para kamerës zemërgjerësinë e tij, duke u shpërndarë diçka teksa ata janë mbledhur grumbull.

Njerëz me plaçka në krah, fëmijë të vegjël që mbajnë në duar atë çka nga lufta mund të ketë mbetur dhe ikin duke shënuar eksodin e refugjatëve. Nga ana tjetër prej Kështjellës zbret trashëgimtari i kurorës Danilo dhe Princi Petar i Malit të Zi. Rrugën e prijnë jo pak instrumentistë, ushtarakë të armatosur, dikush që mban në dorë flamurin malazez që kushedi pse pranë pamjeve të fëmijëve të uritur duket kaq “i dorëzuar”… Sepse këto janë “dy fytyrat e fitores, nga njëra anë një flamur që valvitet mes një grupi fitimtarësh të hareshëm, e nga ana tjetër një gropë varri ku kufomat nuk njihen më dhe po kalben”… /Shekulli/