Mjekët paralajmërojnë për "erën BBL" dhe rreziqet serioze që sjell operacioni i të pasmeve

Brazilian Butt Lift (BBL), një nga operacionet estetike më të kërkuara vitet e fundit, është duke shkaktuar shqetësim mes mjekëve për shkak të komplikimeve të mundshme – përfshirë edhe një erë të pakëndshme që ndjek shumë paciente pas ndërhyrjes.
Sipas mjekëve, “era e BBL” mund të vijë nga vdekja e indeve dhjamore (nekroza) apo nga vështirësitë për të ruajtur pastërtinë në zonën e pasme.
Kjo ndodh sepse, pas zmadhimit, pacientet shpesh kanë vështirësi për t’u pastruar siç duhet, gjë që mund të çojë në infeksione ose aroma të pakëndshme, shkruan DailyMail.
Dr. Eric Anderson thotë se dhjami i tepërt, kur nuk furnizohet mjaftueshëm me gjak, mund të kalbet dhe të krijojë një erë karakteristike.
Ndërkohë, rrobat e ngushta kompresuese, djersa dhe lagështia pas operacionit e përkeqësojnë situatën.
Ndërhyrja, që kushton mesatarisht rreth 8,600 dollarë (afërsisht 7,950 euro), përfshin marrjen e dhjamit nga zona të ndryshme të trupit dhe injektimin e tij në vithe.
Por, BBL është gjithashtu një nga operacionet më të rrezikshme, me një normë vdekshmërie prej 1 në 3,000 raste.
Disa mjekë kanë ndaluar së ofruari këtë shërbim për shkak të rrezikut të lartë.
Ekspertët këshillojnë të zgjidhen kirurgë të çertifikuar dhe të kërkohet një pamje më natyrale, për të shmangur komplikime të panevojshme. /Telegrafi/




























































