Sipas mediumit brazilian ge.globo, Neymar do të mungojë nga dy deri në tri javë për shkak të një lëndimi serioz në pulpën e këmbës, ndërsa paraqitja e tij në ndeshjen hapëse të Brazilit në Kupën e Botës kundër Marokut më 14 qershor mbetet në dyshim.

Mjeku i Kombëtares së Brazilit, Rodrigo Lasmar, konfirmoi se Neymari ka pësuar një dëmtim të shkallës së dytë në pulpë, duke kundërshtuar deklaratën e klubit Santos, i cili fillimisht kishte njoftuar vetëm për një ënjtje të lehtë.


34-vjeçari do të mungojë në miqësoret e ardhshme ndaj Panamasë dhe Egjiptit, çka nënkupton se përgatitjet e tij për Kupën e Botës nuk do të jenë ideale.

Stafi teknik i Brazilit po ndjek nga afër rikuperimin e sulmuesit, pasi ai konsiderohet një nga lojtarët kyç të skuadrës për turneun e madh.

Duke marrë parasysh historikun e tij të vazhdueshëm me lëndimet, shqetësimet për gjendjen fizike të Neymarit janë rritur ndjeshëm.

Në vitet e fundit, braziliani ka humbur shumë ndeshje për shkak të problemeve fizike, gjë që ka ngritur pikëpyetje nëse ai do të jetë në gjendje të përballojë ritmin dhe intensitetin e Kupës së Botës deri në fund të kompeticionit. /Telegrafi/

telegrafi sport app