Mitrovica në periudhën osmane


Referuar të dhënave të defterëve osmane, zhvillimi i Mitrovicës erdhi si rezultat i investimeve të bëra nga dy personalitete osmane nga Sanxhakbeu i Shkupit: Isa Beg (themelues i disa qyteteve sikur Sarajeva, Jenipazari etj.) dhe Hoshkadem Vojvoda ...
Këto ditë doli nga shtypi monografia me titull: Mitrovica në periudhën osmane: histori dhe arkitekturë
Monografia u realizua në kuadër të projektit Ottoman Heritage in Mitrovica të drejtuar nga Oktaj Hasani dhe me mbështetjen Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. Siç theksohet në hyrje të monografisë nga ana e drejtuesit të projektit O. Hasani, për realizimin e kësaj vepre shkencore janë angazhuar dy ekspertë të historisë së periudhës osmane, punonjës shkencor në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë të cilët kanë marr në trajtim aspekte historike dhe arkitekturore të Mitrovicës gjatë shekujve osmane.
Kapitulli i parë i shkruar nga Agron Islami, trajton historinë e Mitrovicës që nga momentet e para të hyrjes së sajë nën administratën osmane e deri në vitin 1912. Në kuadër të kapitullit autori ka ofruar dëshmi nga dokumentet osmane mbi aspekte sociale, ekonomike dhe urbanistike të qytetit gjatë shekujve në fjalë. Një theks i veçantë i është kushtuar transformimit të Mitrovicës nga fshati në kaza me peshë ekonomike për zonën. Respektivisht sipas këtyre të dhënave në regjistrimin e vitit 1455 fshati Dhimitrovcë (siç është regjistruar në defterët osman), kishte 15 shtëpi (dy myslimane dhe trembëdhjetë jomyslimane). Derisa në regjistrimin e vitit 1489 fshati në fjalë u shndërruar në qendër tregu (nefs-i bazar) me dy mëhallë të identifikuara me emra të imamëve të mesxhideve (faltore për faljen e namazeve ditore) me 57 shtëpi myslimane dhe tetë shtëpi jomyslimanë. Ndërkohë që në prag të luftës osmano-ruse të vitit 1878, Mitrovica kishte mbi 4 500 banorë dhe kjo dëshmon për një rritje konstante të vendimit në fjalë gjatë shekujve në fjalë.
Referuar këtyre të dhënave të defterëve osmane shihet se, zhvillimi i Mitrovicës erdhi si rezultat i investimeve të bëra nga dy personalitete osmane nga Sanxhakbeu i Shkupit, Isa Beg (themelues i disa qyteteve sikur Sarajeva, Jenipazari etj.) dhe Hoshkadem Vojvoda të cilët qysh në vitet ‘60 të shekullit XV themeluan nga një mesxhid, një mësonjëtore (mualimhane) dhe një banjë publike (Hamam). Autori ka ndjekur të dhënat e defterëve osman të shekujve në fjalë të cilët pasqyrojnë gjendjen demografike të kësaj e qendre e cila qysh nga dekadat e fundit të shekulli XV kishte tërhequr popullsi nga treva të ndryshme shqiptare, sikur vije fjala me Vilçitrinasin (Vushtrrias) Mustafa i biri i Hazirit, Skenderin të birin e Abdullahut nga Elbasani, Xhaferin të birin e Abdullahut nga Alaxha Hisari (Krushefc i sotëm) etj. Gjatë kësaj kohe, në Vushtrri zë fill edhe zhvillimi i esnafërisë, e ku spikasin qëndistarët, masayherët, papuçarët, çizmexhinjtë, kasapët, marangozët, imrahorët etj.
Autori në vazhdim ka ofruar të dhëna nga raportet/vjetarët shtetërore osmane të Vilajetit të Kosovës dhe fjalori enciklopedik i Sami Frashrit të cilat shpërfaqin gjendjen demografike dhe urbanistike të qytetit të Mitrovicës në shek. XIX. Kohë kur Mitrovica përbënte edhe stacionin e fundit të hekurudhës e cila shpie nga Selaniku në drejtim të Bosnjës. Në kuadër të trajtimit një spikamë i është dhënë edhe aktivitetit edukativo-arsimore gjatë shekullit XIX, ku është dhënë edhe një listë e shkollave dhe medreseve, duke ofruar edhe numrin e nxënësve të ciklit fillore (sibjan) dhe cikël i lartë fillorë (rushdije), si dhe lëndët që mësoheshin në këto shkolla.
Si objekte me vlerë historike janë trajtuar xhamia e Mazhiqit, xhamia Hamidije (e Bajrit), Xhamia e Ibrit, Hamami i Zenel Beut, Sahat Kulla, Ura e Ibrit, Spitali i Mitrovicës, Rushdija e Mitrovicës dhe epitafet me mbishkrim osman.
Kapitulli i dytë i hartuar nga historiani Artit, Orges Drançolli, analizon vlerën arkitektonike të Xhamisë së Mazhiqit e ndërtuar në gjysmën e shekullit XV, Teqen e Jonuz efendiut, Hamamin e Qytetit, Shtëpinë/konakun e familjes Korogllu. Autori vë në pah shembujt tipikë të ndërtimeve sakrale dhe profane të stilit osman me elemente vendore të cilat dallohen për tipologjinë e tyre arkitektonike, teknikën e ndërtimit dhe gërshetimin e elementeve vendore në arkitekturën e stilit osman. Studimi i O. Drançollit është i bazuar në planimetritë e objektit të konakut Korogllu dhe fotografive të realizuara në teren.
Monografia me titull Mitrovica në periudhën osmane: histori dhe arkitekturë, përbën punimin më të kompletuar për historinë e qytetit gjatë shekujve osman (1450-1912), ku autorët kanë përdorur burime të dorës së parë dhe kanë bërë studime në terren. Kështu duke sjell fotografi të gjendjes aktuale të objekteve të trajtuara në monografi.
Përveç dy autorëve të kapitujve dhe drejtuesit të projektit, O. Hasani, kontribut në realizimin e këtij botimi ka dhënë edhe shefi i Departamentit të Historisë, prof. Mentor Hasani, në cilësinë e konsulentit shkencor. Fotografitë janë realizuar nga Visar Hapçiu, lektura gjuhësore është bërë nga Abdurrahim Maxhuni, ndërsa hartat janë përgatitur nga Faton Beqiri. Botimi është realizuar nga Shtëpia Botuese “Artini” në Prishtinë.






































