LAJMI I FUNDIT:

Miti shqiptar rreth Byronit

Miti shqiptar rreth Byronit

Dorian Koçi

Vepra e Byronit dhe në veçanti “Childe Haroldi” do të vinte te shqiptarët jo në gjallje të poetit, por në vitet kur ata do të përpiqeshin të realizonin zgjimin e tyre nacionalist. Byroni është një nga udhëtarët më të hershëm anglezë që vizituan Shqipërinë. Pas botimit të veprave të Byronit, numri i udhëtarëve, me apo pa misione të caktuara, si dhe i autorëve që shkruan për Shqipërinë dhe shqiptarët u shtua shumë, veçanërisht ai i udhëtarëve anglezë.


Ky aspekt i njohjes së veprës së Byronit do të kushtëzonte dhe studimin dhe propagandimin e veprës së tij, e cila do t’u prezantohej shqiptarëve nga mesi i shekullit të XIX. Më tepër sesa një kënaqësi estetike, ajo do të shërbente dhe si një dëshmi për virtytet dhe karakteristikat e tyre.

Njohja e Byronit në Shqipëri kaloi disa etapa. Në fillim ai u popullarizua tek Arbëreshët e Italisë, të cilët përmendin dendur emrin e tij. Pastaj nga gjysma e shekullit të XIX, Byroni hyri dhe në Shqipëri. Faza e tretë mund të quajmë fundin e shekullit të XIX dhe fillimin e shekullit të XX, kur Byroni vërshon në Shqipëri me tërë vrullin e vlerave të veta si mik i shqiptarëve dhe i lirisë, si poet e luftëtar hero.

Si fazë të katërt mund të quajmë mesin e viteve 50 të shekullit të kaluar e deri në ditët tona kur përkthimet profesionale të veprës së tij dhe studimet e mirëfillta shkencore marrin jetë.

Secila nga këto etapa të njohjes së veprës së Byronit në Shqipëri ka karakteristikat e veta. Kështu, në periudhën e parë, atë të popullarizimit të Byronit tek Arbëreshët e Italisë, mbizotërojnë influencat estetike të veprës së poetit. Është i njohur afiniteti i De Radës për Byronin, të cilin ai e vlerësonte së tepërmi. Ai e shkroi poemën e vet “Odise’ me subjekt nga jeta arbëreshe, trajtuar sipas “Korsarit” të Byronit.

Nga gjiri i mërgatës arbëreshe do të ishte dhe përkthyesi i parë i Byronit në shqip, Luigji Petrasi, i cili do të përkthente këngën e parë të poemës “Childe Harold” të Byronit në shqip më 1843.

Edhe periudha e dytë vazhdon të përmbajë këtë karakteristikë, ndonëse në të fillon të mbizotërojë aspekti ilustrues i veprës së Byronit për të nxjerrë në pah cilësitë dhe virtytet e shqiptarëve.

Është shumë i rëndësishëm të nënvizohet ky fakt, pasi në një farë mënyre formon dhe tendencën e studimeve bajroniane në mendimin intelektual shqiptar të mëvonshëm. Kështu p.sh shkrimtarja e mirënjohur shqiptare Elena Gjika, në një nga letrat e saj përmend mënyrën e tepër të veçantë që flet Byroni tek “Childe Haroldi” për Shqipërinë dhe popullin trim që banon aty.

Në të njëjtën sintoni do të jetë dhe studiuesi, linguisti Anastas Kullurioti nga mërgata e arvanitasve të Greqisë kur do të shkruajë më 1884 se Byroni flet me admirim për gjykimin e matur të shqiptarëve, për guximin dhe trimërinë si dhe për punët e mëdha që kanë bërë.

Periudha e tretë e cila përkon dhe me periudhën më kulmante të zgjimit nacionalist shqiptar dhe formimit të shtetit shqiptar do të zyrtarizojë pak a shumë këtë tendencë. Është koha kur krijohet miti shqiptar i Byronit. Ashtu si të gjitha mitet krijuara gjatë zgjimit nacionalist shqiptar edhe ky mit do i nënshtrohet etnocentrizmit dhe përshtatjes së tij në funksion të rritjes së ndërgjegjes shtetformuese tek shqiptarët.

“Vargjet e Byronit për Shqipërinë dhe shqiptarët ishin një zbulim i çmuar për poetët luftëtarë të Rilindjes Kombëtare shqiptare, ishin një frymëzim patriotik dhe poetik”. Ndaj në dallim nga veprat e tjera të shkrimtarëve romantikë bashkëkohorë vepra e Byronit pati një impakt më të madh në mendimin intelektual shqiptar. Së bashku me rritjen e ndërgjegjes kombëtare tek shqiptarët, do të krijohej pak nga pak kulti i Byronit në mendimin intelektual shqiptar.

Të kësaj periudhe janë shkrimet e eruditit shqiptar Faik Konicës, apo të “enciklopedisë ambulante” si e kish thirrur poeti frëng Apolioneri në faqet e gazetës së tij “Albania”. Në numrin e parë të gazetës së mirënjohur “Albania”, më 1897 ai boton në frëngjisht “Le voyage de Lord Byron en Albanie”.

Po kështu Konica do të jetë i pari që tenton të përkthejë në prozë vargje nga “Childe Haroldi” me titull “Dheu i Shqipërisë”, të botuara sërish në gazetën “Albania”. Në faqet e gazetës së tij Konica do të botojë dhe dy këngët shqip të mbledhura nga Byroni si dhe në gazetën “Dielli” më 1924, një pjesë nga letra e Byronit dërguar të ëmës ku poeti i madh flet për Shqipërinë.

Vitet 20’ përkojnë me përpjekjet e shqiptarëve për të stabilizuar pavarësinë dhe për të rikonfirmuar shtetin e tyre. Në këtë sensbyronistët shqiptarë do ta rimarrin nga epoka e mëparshme mitin e Byronit dhe nëpërmjet studimeve më profesionale dhe të hollësishme do kontribuojnë jo vetëm në propagandimin dhe studimin e veprës së poetit të madh por dhe në farkëtimin e mitit të tij.

Kësaj tendence nuk do t’i shmangej as ZefHarapi, bajronisti i parë i mirëfilltë shqiptar, i cili do të shkruante se do të dëshironte të realizonte përkthimin e veprës jo vetëm për ti shtuar diçka literaturës sonë “por pse kemi në atë vepër vjersha qi flasin dhe lëvdojnë karakterin e shqyptarit të sot njëqind vjetve”. Konferenca e parë studimore për Byronin organizohet nga studiuesi i njohur Stavro Skëndi më 1936. Dy vjet më vonë më 1938, ai boton në revistën serioze të kohës “Përpjekja Shqiptare” studimin e parë të plotë shqiptar rreth veprës dhe jetës së Byronit. Intelektuali i shquar shqiptar, Stavro Skëndi, mund të konsiderohet si “Bajronisti i parë i përplotësuar shqiptar”.

Periudha e katërt i përket viteve 50 të shekullit të kaluar ku spikatin përkthimet e veprave të Byronit , artikuj studimorë si dhe monografia e parë kushtuar poetit. Kjo mund të konsiderohet periudha më e arrirë e studimeve bajroniste në Shqipëri pasi për herë të parë nuk kemi më artikuj të thjeshtë por vepra të mirëfillta shkencore rreth Byronit dhe veprës së tij.

Përkthimi i parë i plotë i ‘Childe Haroldit” do të realizohet nga profesori Skënder Luarasi, i cili fillimisht me përkthimin e letrës së Byronit më 1955, të botuar në “Nëntori” dhe një vit më vonë me botimin e përkthimit të “Childe Haroldit” më 1956, do të rikthejë në mënyrën më elegante dhe profesionale Byronin në tokën ku ai gjeti frymëzim.

Impakti dhe influenca e Byronit nuk do të kufizohej vetëm në Shqipëri, por do të ishte i madh dhe në popullatën shqiptare në Kosovë. Aty vepra e Byronit do të gjente talentin dhe përkushtimin e Abdullah Karjagdiut, i cili përmes disa shkrimeve të botuara në gazetën ‘Bota e Re” në harkun kohor 1976-1978, do të përshkruante ndoshta portretin më të plotë të jetës dhe veprës së Byronit në hapësirat shqiptare. Disa nga artikujt e tij më të rëndësishëm mund të përmendim “Byronizmi në poezinë arbëreshe”, “Byroni dhe Shqiptarët”, “Mbi shqiptarët e Byronit”, “Legjenda e Byronit” dhe fejtonin “Tragjedia e Gjenive” më 1982 në faqet e “Rilindjes” së Prishtinës.

Në vitin 1987, i cili do të shënojë një vit të rëndësishëm për studimet bajroniane në Shqipëri botohet monografia e parë për Byronin nga profesori Afrim Karagjozi. Libri ishte fryt i një pune të gjatë kërkimore dhe pasioni të pashtershëm. Do të ishte ky pasion që do të bënte të mundur që menjëherë pas lejimit të krijimit të shoqatave kulturore në 1991, një nga të parat shoqata që do të themeloheshin do të ishte Shoqata Shqiptare e Byronit. Kjo shoqatë do të kthehej në një promotor të të gjithave aktiviteteve rreth figurës së poetit të madh si dhe studimeve të kontaktit të tij me shqiptarët.

Ripërkthimi i “Childe Haroldit” nga Napolon Tasi si dhe përkthimi i “Gjaurit” për herë të parë në shqip si dhe një përmbledhje me vjersha të zgjedhura të Byronit, tregon se vepra e poetit vazhdon të intrigojë intelektualët dhe lexuesit shqiptarë. Miti i Byronit i krijuar diku aty rreth fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX vazhdon të jetë i freskët dhe të vazhdojë të lëshojë sytha.