LAJMI I FUNDIT:

Mitet e rrejshme për spartanët

Mitet e rrejshme për spartanët
Ancient greek painting.Pottery art.Stylized ancient greek background. Mediterranean culture.Deities and heros of antique greece

Filmi i famshëm “300” ngjalli interes të madh të publikut për spartanët, ndërsa krijoi adhurues në mbarë botën. Filmi i portretizon spartanët si luftëtarët e egër të botës së lashtë, të cilët nuk u dorëzuan asnjëherë, dhe si njerëz fisnikë që i rezistuan një armiku despotik. Në fakt, spartanët ishin mjeshtër të politikës e jo të luftës. Ata mbështeteshin tek aleatët e tyre dhe jetonin në një shoqëri shtypëse të bazuar tek skllavëria. Më poshtë janë pesë mitet e rreme për ta, të cilave nuk duhet t’u besoni më:

Miti i parë: Spartanët ishin gati të pathyeshëm, dhe nuk u dorëzuan asnjëherë


Spartanët ishin një forcë luftarake e organizuar mirë. Megjithatë, pjesa më e madhe e suksesit të tyre ishte për shkak të punës në grup dhe zgjuarsisë taktike e jo ndonjë heroizmi të jashtëzakonshëm. Në kulturën popullore, spartanët tregohen si luftëtarë të guximshëm që mund të përballen me çdo ushtri. Por, nuk ndodhte gjithmonë kështu.

Spartanët ishin më të aftë në manovra politike sesa shtetet e tjera greke, gjë që i ndihmoi ata të vendosnin hegjemoninë në Greqi. Sipas Herodotit, Sparta u përball me qytetin-shtetin e Argosit në vitin 546 p.e.s. Për të shmangur viktimat, secila palë vendosi në fushën e betejës 300 luftëtarët më të mirë. E njohim sot këtë betejë si “Beteja e 300 kampionëve”. Në fund të betejës, mbijetoi vetëm një spartan dhe dy luftëtarë të Argosit. Spartanët korrën disa fitore të jashtëzakonshme kundër grekëve dhe persëve, por humbën po aq beteja ndaj tyre. Miti i luftëtarëve të pathyeshëm spartanë u formua më vonë, falë letërsisë perëndimore, por edhe fuqive të mëdha të kohës.

Miti i dytë: 300 spartanë ndalën një ushtri të madhe perse në Termopile

Beteja e Termopileve është shndërruar në një sinonim të heroizmit, me shumë poezi dhe tregime të panumërta kushtuar Leonidhës dhe njerëzve të tij që vdiqën në betejë duke refuzuar të dorëzoheshin. Në fakt, rezistenca rezultoi e pa vlerë, pasi persët i arritën synimet e tyre.

Miti thotë se grekët luftuan kundër persëve me 7000 burra. Ndërkohë, 300 spartanë, 700 thespianë, 400 tebanë, 900 ilotë (skllevër spartanë) dhe 1000 fokianë refuzuan që të largoheshin nga beteja. Në fakt, nuk ishin 300 spartanë ata që luftuan kundër 100 mijë persianëve. 3000 trupa është një vlerësim më i saktë.

Shumë historianë modernë e kritikojnë Herodotin për nderimin e tepruar ndaj spartanëve. Mbreti spartan Leonidha, e udhëhoqi gjithë ushtrinë greke. Spartanët ishin shumë të aftë në punën ekipore dhe koordinimin, ndaj ishin udhëheqës të natyrshëm. Për pasojë, Leonidha mori lëvdata për mbrojtjen.

Miti i tretë: Spartanët luftonin lakuriq, vetëm me shtiza dhe mburoja

Portretizimet artistike të luftëtarëve në qeramikën e lashtë greke, i përshkruanin ata si gjysmë të zhveshur, gjë që i nxiti njerëzit në Mesjetë dhe epokën moderne të supozojnë se spartanët luftonin pa asnjë mbrojtje trupore. Në realitet, ata mbanin të njëjtin armaturë si çdo regjiment grek i asaj kohe. Ata mbanin në kokë një helmetë bronzi; një armaturë e njohur si ‘kuiras’ mbronte pjesën e sipërme të trupit. Ndonjëherë, spartanët mbanin veshur linotoraks dhe pajisje mbrojtëse për pjesën e poshtme të këmbëve. E mbanin shpatën në brez. Pra, ishin shumë larg imazhit që paraqitet në filmin “300”.

Miti i katërt: Spartanët mbrojtën kauzën e unitetit grek kundër persëve

Spartanët ishin ndër mendjet më të mëdha politike të kohës së tyre. Ata formuan Lidhjen Peloponeziane, duke krijuar një aleancë të pabarabartë me qytetet-shtetet greke përreth. Ky koalicion përfshinte gjithashtu Korintin, Kithirën, Melosin, Pilosin, Mantinenë, Elisin, Epidaurin, Beotinë, Lefkadhën dhe Ambrakinë.

Sparta besonte se demokracitë si Athina do ta shkatërronin mënyrën e tyre të jetesës që ishte shijimi i kohës së lirë në kurriz të skllevërve të njohur si ilotë, si dhe kufizimi i shtetësisë vetëm tek elita politike. Por, Sparta nuk iu bashkua një aleancë mbarë-greke kur persianët e pushtuan Greqinë në vitin 492 p.e.s. që solli edhe Luftën e Parë Greko-Persiane.

Gjatë Luftës së Dytë Greko-Persiane, Kserksi nisi të dërgonte lajmëtarë në shtete të tjera, përveç Spartës dhe Athinës. Spartanët e dinin se nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të luftonin. Përndryshe, statusi i aleancës së tyre të brishtë do të ishte në rrezik.

Pra, megjithëse spartanët iu bashkuan luftës kundër persëve, kjo ishte për interesat e tyre vetjake e jo për konceptin e kombësisë “greke”, siç interpretohet zakonisht sot. Më vonë spartanët bashkuan forcat me persët, për t’i mposhtur athinasit në Luftën e Peloponezit.

Miti i pestë: Shoqëria spartane përbëhej nga njerëz të lirë që mbrojtën kauzën e lirisë

Skllevërit, të njohur si ilotë, ishin ata që mbanin në këmbë shoqërinë spartane. Trajtimi ndaj tyre i tmerrshëm. Ilotët ishin skllevër grekë nga rajonet e Lakonisë dhe Mesenisë të shtetit spartan. Spartanët i skllavëruan vendasit dhe i detyruan të bënin punë të rëndomta, si ndërtimi, peshkimi, bujqësia, blegtoria e kafshëve dhe punët e shtëpisë për llogari të qytetarëve spartanë.

Synimi i ekzistencës së ushtrisë spartane nuk ishte të zmbrapste pushtuesit apo të ndërmerrte pushtime të rëndësishme ushtarake. Ajo u trajnua se si të shtypte revoltat e ilotëve dhe se si t’i mbante ata nën kontroll.

Por, ilotët shërbyen gjithashtu edhe si një këmbësori ndihmëse për ushtrinë kryesore spartane dhe 900 nga ta vdiqën në Betejën e Termopileve. Ndaj, kur Leonidha i referohet “burrave të lirë” në filmin “300”, ai i drejtohej në fakt elitës skllavopronare ku bënte pjesë edhe vetë. /Burimi: History of Yesterday/Në shqip nga: Bota.al/