LAJMI I FUNDIT:

Misteri i ikonës britanike: I harruar gjatë jetës, mit pas vdekjes

Misteri i ikonës britanike: I harruar gjatë jetës, mit pas vdekjes
Nick Drake (1948-1974)

Nga: Neil Armstrong / BBC
Përkthimi (i pjesshëm) nga: Telegrafi.com

Një makinë e hapur zbret nëpër rrugën e ndriçuar nga hëna kaliforniane; udhëtarët vështrojnë qiellin e mbushur me yje. Afrohen te një shtëpi në plazh ku po mbahet një festë e zhurmshme. Katër të rinjtë në kabriolet e shikojnë njëri-tjetrin dhe, duke u pajtuar në heshtje se nuk është për ta, vazhdojnë tutje.


Reklama e Volkswagenit e vitit 1999 është 60 sekonda e gjatë, por gati një çerek shekull më vonë shikuesit ende e postojnë në internet për ndikimin e thellë që ka – jo për shkak të pamjeve të bukura, por për shkak të muzikës që e shoqëron: kënga Moon nga Nick Drake.

Kantautori anglez vdiq në vitin 1974, në moshën vetëm 26-vjeçare. Ka publikuar tri albume që nuk bënë shumë bujë gjatë jetës së tij, por që gradualisht e krijuan një kult pas vdekjes së tij. Reklama amerikane e nxiti rritjen e interesimit për punën që ka lënë pas.

Dhe tani, pothuajse gjysmë shekulli pas vdekjes së tij, Drake sërish po rizbulohet. The Endless Colored Ways, një koleksion prej 23 këngëve të tij të interpretuara nga artistët si David Gray, Fontaines DC, Self Esteem dhe John Grant, do të lansohet këtë të premte, ndërsa biografinë e fundit sapo është publikuar – Nick Drake: The Life, nga Richard Morton Jack.

Biografia nuk e përmban asnjë zbulim të ri tronditës, asgjë që na i përmbyt në kokë ato që menduam se i dinim për të, por e ofron një portret të njeriut dhe milieut të tij përmes grumbullimit të detajeve interesante. Shërben gjithashtu për të korrigjuar shumë keqkuptime.

“Shumë supozime kanë lindur, sepse njerëzit priren t’i mitizojnë figura ikonike që vdesin të rinj”, tha Morton Jack për BBC Culture.

Autori intervistoi 200 njerëz nga të gjitha fushat e jetës së Nickut dhe iu dha qasja në dokumentet private të familjes së tij. Hulumtimi i tij sugjeron se, ndryshe nga sa besojnë disa, muzikanti nuk ishte i varur nga heroina; nuk ishte homoseksual; nuk është abuzuar në shkollë; dhe konflikti me të atin nuk ishte në themel të problemeve të tij.

“Ishin shumë detaje të vogla që munda t’i plotësoja”, thotë Morton Jack, i cili së fundmi e vizitoi faqen e Wikipedia-s për Nickun dhe hoqi dorë nga numërimi i gabimeve faktike kur arriti në 50 sosh. “Kështu, për shembull, një nga të dhënat për të ka qenë se tymoste sasi të pabesueshme droge dhe se ishte dëmtuar plotësisht nga droga. Epo, askush që e njihte nuk e thotë këtë”.

Edhe pse Drake dha vetëm dy intervista për shtyp gjatë karrierës, elementet bazike për jetën e tij të shkurtër janë njohur prej kohësh. Nicholas Rodney Drake lindi më 19 qershor 1948 dhe u rrit në Uorikshër në një familje të dashur dhe muzikale. Kur shkoi në Universitetin e Kembrixhit më 1967, u përcaktua për karrierën muzikore.

Si kitarist i talentuar me një stil të veçantë, krijoi këngë delikate, ëndërrimtare dhe shpesh melankolike. Albumi i tij i parë, Five Leaves Left, u publikua më 4 korrik 1969, disa muaj para se ta linte universitetin. Shtypi muzikor u dominua nga lajmet për vdekjen e Brian Jonesit më 3 korrik dhe nga koncerti i grupit Rolling Stones në Hajd Park – dy ditë më vonë. Nuk kishte asnjë singël nga albumi dhe pothuajse asgjë në rrugën e promovimit, përveç një sesioni natën vonë për një program artistik të Radios 2, të prezantuar nga John Peel. Albumi tërhoqi pak vëmendje dhe pak u shit.

E njëjta histori u përsërit me dy albumet e tjera; Bryter Later më 1971 Pink Moon më 1972. Kishte publicitet të kufizuar dhe refuzimi përfundimtar për koncerte nuk ndihmoi aspak. Performanca e tij e fundit ishte në vitin 1970 dhe ai mbajti pak më shumë se 30 koncerte gjatë gjithë karrierës. “Ishin vetëm dy ose tri koncerte që ndiheshin mirë; kishte diçka që nuk shkonte me gjithë të tjerët”, tha ai në njërën nga ato dy intervista për shtyp – më 1971, për revistën Sounds. E kishte producentin e famshëm Joe Boyd, ndërsa në grupin Velvet Underground ishte John Cale. Që të dy kishin këmbëngulur të punojnë me të, por kot. Drake u dëshpërua rëndë dhe u kthye të jetonte te prindërit e vet, duke i thënë nënës: “Kam dështuar në çdo gjë që kam provuar të bëj”. Vizitoi psikiatrin, i kaloi pesë javë në një institucion psikiatrik dhe madje u trajtua me terapi elektrokonvulsive.

Në mëngjesin e 25 nëntorit 1974, u gjet i vdekur në dhomën e gjumit. Një shishe që mbante rreth 60 hapa kundër depresionit, të dhëna me recetë, u gjet bosh pranë tij. Patologu gjeti provat e një “mbidoze të rëndë”. Dhe, ky mund të ketë qenë fundi i historisë së Nick Drakeit.

Por, siç raporton Morton Jack, brenda dy viteve nga vdekja e tij, diçka e papritur nisi të ndodh. Shenja e parë ishte kur një grua 21-vjeçare amerikane nisi të telefonojë në shtëpinë e tij, në mars të vitit 1976. E kishte blerë albumin Pink Moon në një dyqan diskografik në Hjuston të Teksasit dhe donte të zbulonte gjithçka që mundte për artistin misterioz. Për këtë ajo madje udhëtoi në Angli. Nëna dhe babai i Nickut e ftuan brenda dhe e lanë të bunte aty. Ajo ishte e para nga shumë adhurues të flaktë që do ta bëjnë të njëjtin pelegrinazh, kështu që reputacioni i Nickut u rrit dhe u rrit. U publikuan albume përmbledhëse dhe artistët e mëdhenj si REM, Kate Bush dhe Everything But the Girl e përmendnin si frymëzim.

Pas reklamës së VW-së, sipas librit të gazetares amerikane Amanda Petrusich – të vitit 2007, për Pink Moon shitjet e albumit “u rritën gati 500 përqind gjatë 10 javëve të para të vitit 2000”. New York Times raportoi më 2001 se shitjet ishin rritur nga rreth gjashtë mijë kopje në vit në më shumë se 74 mijë.

Pra, Drake doli nga errësira e gjatë jetës, duke u paraqitur në kopertinat e revistave muzikore, duke qenë subjekt i një dokumentari të Radio 2 të prezantuar nga Brad Pitt, dhe muzika e tij shfaqej në filmat e njohur të Hollivudit si A Beautiful Day in the Neighbourhood dhe në hitet televizive si Normal People. Madje, një birrë quhet sipas një kënge të tij.

Muzikanti Paul Weller, komediani Sue Perkins, mikrobiologia Sharon Peacock dhe shkrimtari i shquar xhamajkan Marlon James, janë ndër të ftuarit që kanë zgjedhur këngët e tij në programin Desert Island DiscsRadio 4. James tha se ai vuri diskun e tij në pajisjen muzikore në vitin 1993 dhe nuk e hoqi deri në vitin 1998: “E kam lëshuar pothuajse çdo natë … sa herë që e dëgjon, është një fantazmë në dhomë.”

Emeli Sandé është ndër artistet në albumin e ri përmbledhës, me versionin e këngës One Of This Things First. Tha se beson se popullariteti i Nickut ka vazhduar të rritet “për shkak të pastërtisë në muzikë dhe gjithashtu të thellësisë. Tekstet e tij janë poezi. Mendoj se janë vërtet të përjetshme. Pa marrë parasysh sa herë ktheheni dhe i dëgjoni, gjeni diçka të re”.

The Endless Colored Ways e ka marrë titullin nga një varg në From the Morning, një këngë në Pink Moon. Disa adhurues i shohin këngët si dëshmi e gjendjes së tij të përkeqësuar mendore: Richard Thompson i grupit Fairport Convention, i cili ka interpretuar në disa pika në albumet e mëparshme, u “shqetësua” kur e dëgjoi LP-në. “Mu duk si thirrje për ndihmë. Zëri i një njeriu që zhytet në kufirin e mendjes së shëndoshë”, ka shkruan ai në librin e tij të kujtimeve të vitit 2021, Beeswing.

Guri i varrit të Nickut përmban vargjet e tij nga From the Morning: “Tash çohemi dhe jemi kudo”. Ajo që ka synuar me këtë varg mund të jetë e pasigurt, por sigurisht se është e vërtetë për adhuruesit e tij. /Telegrafi/