LAJMI I FUNDIT:

Mirë Rektori, mirë edhe Senati, po Këshilli Drejtues, po Ministria, po Qeveria?

Mirë Rektori, mirë edhe Senati, po Këshilli Drejtues, po Ministria, po Qeveria?

Rektori, me dashje a pa dashje, me vetëdije a pa vetëdije, shkurtë e shqip ka lakmuar dhe u bë si u bë Rektor nga KD, sepse ka lakmuar dhe u bë si u bë edhe "profesor i rregullt" edhe me "miratim" a vendim të Senatit! Megjithatë, edhe midis një Rektori që është funksion i një individi – personi – dhe midis një Senati që është një organ – funksion kolektiv (i disa personave) – është një dallim.

Senati, edhe kështu siç është ka një përgjegjësi të madhe se pse ka lejuar Rektorin dhe shumë profesorë të tjerë të bëhen "profesorë të rregullt" ose të marrin grada tjera akademike me punime dhe artikuj që ashiqare nuk ishin kush e di çfarë shkence, e që përveç kësaj ishin botuar në një revistë "shkencore" fiktive në Indi!


Nëse një personi, qoftë edhe doktor shkence, pedagog, intelektual, etj. ia kanda, i pëlqen të "përparojë" ose të ecë përpara, qoftë edhe duke mashtruar dhe manipuluar (rrejshëm), Senatit, që është organi kompetent dhe përgjegjës për këtë punë (për çështje akademike…), nuk do t’i lejohej dhe nuk do të "guxonte" ta bënte një gjë të tillë, duke miratuar manipulimet dhe mashtrimet e disa profesorëve lakmiçarë dhe të pandërgjegjshëm (nëse disa prej senatorëve nuk kanë “avancuar” edhe vetë me këto rrugë mashtruese dhe fyese për një institucion që quhet “tempull i diturisë”).

Po mirë, thotë studenti, intelektuali dhe qytetari i këtij vendi: e bëri profesori, e bëri Rektori, e bëri edhe Senati me gjithë filtrat tjerë paraprak. Po ku ishte Këshilli Drejtues i këtij Universiteti? Pse ky KD nuk u mblodh menjëherë dhe nuk mori masa kur u publikuan këto “marifetllëqe” skandaloze të Rektorit dhe “profesorëve” tjerë, kaq fyese dhe poshtëruese për Universitetin, për studentët, pedagogët dhe qytetarët dhe vlerat e kësaj Republike?! Apo edhe ky organ përbëhet nga pesë anëtarë të Senatit (nuk dalin kundër vendimeve të tyre…!) dhe katër anëtarë të emëruar nga Ministria (që duhet të shkojnë të marrin dorë te Ministri para se të vendosin për diçka…!).

Shkojmë më tej. Po mirë, thotë studenti, intelektuali, qytetari: ku është Ministria, ku është Qeveria?! Ministri dhe Ministria, siç po duket, duhet të marrin dorë te Qeveria – Kryeministri – para se të ndërmarrin diçka (në pajtim me ligjin dhe kompetencat ligjore…) për "disiplinimin" e organeve të UP-së dhe për zbatimin e Ligjit dhe të Statutit në UP, gjithmonë në interes të studentëve dhe të Republikës së Kosovës e të qytetarëve të saj. Apo, për Qeverinë dhe Kryeministrin e kësaj Republike më me rëndësi janë kërpudhat – ose "peçurkat” siç tha zëvendëskryeministri i dytë a i pestë (nuk e di saktë) – e Bahtirit të Mitrovicës, që u bënë “çështje” në mbledhjen e Qeverisë, në vend se të ishte “çështje” Universiteti më i rëndësishëm i këtij vendi…! Apo edhe Kryeministri duhet të marrë dorë dikund para se ta bëjë "çështje" punën e Universitetit në mbledhjet e Qeverisë?!

Nëse është kështu, dhe nuk mund të jetë ndryshe me këtë përbërje, kjo Qeveri po e përfundon mandatin si Qeveri e “peçurkave” – kërpudhave të Pacoll-Bahtirit!

Duket që kemi një zinxhir të tërë me hallkat e tij të “kapura”…! Nga kush?! Nga grupe joformale, nga grupe…?!!

Studentit, intelektualit, qytetarit i mbetet edhe një "shpresë": Kuvendi i Kosovës – themelues i Universitetit. Por, edhe kjo shpresë është e vakët, sepse ky Kuvend përbëhet nga partitë politike dhe nga deputetë (jo të gjithë…) që mbi të gjitha kanë interesat e tyre "imediate"… Megjithatë, populli shqiptar i Kosovës, rinia e tij dhe kombi shqiptar përgjithësisht, bashkë edhe me UP dhe universitetet tjera shqiptare, do ta gjejnë udhën-rrugën… E ardhmja është e kombit shqiptar dhe e diturisë, pavarësisht këtyre "barrikadave" të kurdisura nga dhjetëra shërbime të huaja dhe nga shërbëtorët e tyre shqipfolës…