LAJMI I FUNDIT:

Miratohet raporti për shpenzimet e RTK-së për periudhën janar-mars 2021

Miratohet raporti për shpenzimet e RTK-së për periudhën janar-mars 2021

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar raportin për shpenzime të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për periudhën janar-mars 2021.

Ku raport është miratuar me vërejtje.


Ndërkohë që në këtë mbledhje temë diskutimi është bërë çështja e punësimit të dhëndrit të kryetarit të bordit të RTK-së, Sali Bashota.

Në mbledhjen e sotme, sërish deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica ka pyetur Bashotën rreth këtij punësimi.

“Javën e kaluar keni deklaruar se nuk qëndron pyetja ime për punësimin e dhëndrit tuaj”, tha Korenica.

Bashota tha se asnjë familjarë i tij nuk punon në RTK.

“Jeni t’u u marrë shumë për fijen e një kashte. E kam dhënë përgjigjen javën e kaluar. Dhëndri im, asnjë familjarë i imi nuk punon në RTK. Dhëndri im ka punuar, nuk punon”, tha Bashota.

Atij i ka reaguar Korenica, i cili tha se me këtë punësim Bashota ka shkelur Ligjin për Zyrtarët Publik.

“Ju keni shkel ligjet e vendit tonë, Ligjin për Zyrtarët Publik, pra dhëndri juaj ka pasur kontratë dhe ky është konflikt i interesit. Keni shkelur ligjin për zyrtarët publik për konflikt interesi”, ka reaguar ai.

Kryetari i bordit të RTK-së sërish i është përgjigjur atij duke thënë se po e teprojnë për këtë temë.

“Unë nuk kam bërë kontratë me dhëndrin tim, kam menduar se kishte qenë 4 muaj ai kishte qenë 5 muaj. Ai nuk e ka vazhduar kontratën. Po më duket se po e teproni. E kuptoj edhe si formë shantazhi, jam autori i shumë librave dhe kjo është tepër. Sforcimi i sotëm është tejkalim i çdo deputeti, ky debat nuk i bënë nderë një deputeti”, është përgjigjur Bashota.

Bashota ka refuzuar t’i përgjigjet deputetit të LVV-së, Eman Rrahmani në pyetjen se ai ka deklaruar se ai ka hyrë në RTK përmes lidhjeve të tjera.

Në këtë mbledhje, deputeti i LVV-së, Visar Korenica ka pyetur drejtorin e përgjithshëm të RTK-së, Ngadhënjim Kastrati lidhur me numrin e të punësuarve në RTK, e i cili tha se planifikon që këtë numër ta rrisë me qëllim të zhvillimit të institucionit.

Deputeti Korenica i ka reaguar atij duke i thënë se kjo është strategji e rehatimit të familjarëve.

“Kjo është strategjia si të rehatojmë familjarët. Ne presim një qasje më strategjike”, tha ai. /KP/