LAJMI I FUNDIT:

Ministrisë së Bujqësisë i dhurohen dy dronë

Ministrisë së Bujqësisë i dhurohen dy dronë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, konkretisht Agjencia Pyjore e Kosovës në një ceremoni zyrtare pranoi dy dronë – donacion nga programi “Mbështetje në fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve në Kosovë”, i financuar nga Ambasada Suedeze në Prishtinë dhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe i zbatuar nga Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara – FAO.

Faton Peci, Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në ceremoninë e pranim-dorëzimit të këtyre dronëve u shpreh duke se kjo ndihmë është shumë domethënëse për sektorin dhe për arritjen e objektivave të përbashkëta që i kemi me partnerët tanë.


“Përmes përdorimit të teknologjisë moderne në mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve, siç janë edhe këta dronë me mundësi dhe performanca të jashtëzakonshme, do të kemi mundësi më të mira për monitorimin e shfrytëzimit të pyjeve me fokus të posaçëm në evidentimin dhe parandalimin e prerjeve të paligjshme të pyje dhe ruajtjen e tyre si pasuri kombëtare”, tha mes tjerash Ministri Peci, transmeton Telegrafi.

Nga ana tjetër, Naser Krasniqi, përfaqësues vendor nga FAO në prani të Ministrit Peci bëri demonstrimin e funksionimit të dronëve të cilët kanë performancë të jashtëzakonshme, si dhe ofrojnë kapacitete të larta të monitorimit dhe incizime për analiza të ndryshme të terreneve pyjore.

Ndryshe, para dorëzimit të këtyre pajisjeve, programi i FAO-s organizoi trajnim katër ditor për personelin e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës të cilët do të jenë përgjegjës për përdorimin e këtyre dronëve.

Trajnimi kishte për qëllim njoftimin për procedurat dhe aspektet ligjore që kërkohen në përdorimin të tyre në Kosovë, si dhe tema teknike rreth mundësive dhe mënyrës së përdorimit të tyre në pylltari. /Telegrafi/