LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Tregtisë jep 3.65 milionë euro grante për tri skema për bizneset e vogla dhe të mesme

Ministria e Tregtisë jep 3.65 milionë euro grante për tri skema për bizneset e vogla dhe të mesme
Foto: Ilustrim

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) njofton se ka lansuar tri grante për përkrahje të bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme.

Gjatë një konferencë për medie, ministrja Rozeta Hajdari theksoi se qëllimi i këtyre granteve që kapin shumën prej 3.65 milionë euro është për krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e eksporteve.


“Për sa i përket granteve, MINT ka ndarë grante në vlerë prej 3 milionë e 650 mijë euro për tri grant-skemave. Përmes këtyre kemi për qëllim të përkrahim veprimtarinë e sektorëve që kanë ndikim në krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik, duke fuqizuar në këtë rast sektorin privat, përmes ndërmarrjeve mikro dhe të vogla”, tha Hajdari, përcjell Telegrafi.

Sipas saj, ndërmarrjet prodhuese, përpunuese dhe të eksportit janë fushë-veprimtaritë që do të përkrahen.

“Fushë-veprimtarinë që do të përkrahen janë ato prodhuese, përpunuese dhe të eksportit. Ndërmarrjet në sektorin privat të tekstilit, produkteve të plastikës, ndërmarrjet në sektorin e prodhimit dhe sektorët e tjerë shërbyes”, u shpreh ajo.

Hajdari tha se bizneset start-up gjithashtu do të përkrahen.

“Ne do të përkrahim edhe bizneset fillestare, ato start-up, të themeluar në tre muaj apo tre vite”, u shpreh Hajdari.

Ajo tha se rritja e punësimit të grave dhe personave me nevoja të veçanta është kriter për të gjitha kategoritë për këto tri grant-skema.

Në fund, Hajdari ka njoftuar se për aplikim duhet të kyçen në platformën e-Kosova. /Telegrafi/