LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Shëndetësisë zotohet të gjej zgjidhje për përfshirjen e stafit mbështetës në listën për shtesën prej 300 eurosh në paga

Ministria e Shëndetësisë zotohet të gjej zgjidhje për përfshirjen e stafit mbështetës në listën për shtesën prej 300 eurosh në paga

Menaxhmenti i SHSKUK-së dhe Ministria e Shëndetësisë janë zotuar se do të punojnë intensivisht në koordinim me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë, për të përfshirë në listat për shtesën në paga të gjithë, pa dallim, përkundër buxhetit të limituar.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë të hënës, është diskutuar për çështjen e shtesës në paga për muajt korrik e gusht, për punëtorët shëndetësorë dhe stafin mbështetës.


Ky diskutim u bë gjatë një takimi të përbashkët mes ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, ushtruesit të detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Valbon Krasniqi, dhe nënkryetarit të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Xhemajl Selmani.

Në komunikatën për medie thuhet se “Palët u pajtuan që të vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje, me qëllim që në lista të përfshihen të gjithë punëtorët shëndetësorë dhe stafi mbështetës, të angazhuar gjatë kohës së Pandemisë COVID-19”. /Telegrafi/