LAJMI I FUNDIT:

Ministri Sveçla dhe gjashtë të tjerë mungojnë në seancë për huliganizëm në protestën e vitit 2013

Ministri Sveçla dhe gjashtë të tjerë mungojnë në seancë për huliganizëm në protestën e vitit 2013

Për shkak të mungesës të të akuzuarave ministrit Xhelal Sveçla, si dhe Dardan Molliqajt, Pajtim Havollit, Arsim Maqastenës,  Agron Kabashit, Frashër Krasniqit dhe Nol Nushit, Gjykata Themelore e Prishtinës në seancën e së mërkurës, ka vendosur që ndaj tyre të veçohet procedura, në rastin ku ata po akuzohen për veprime të dhunshme në protestën e 2013-ës.

Gjyqtari Eroll Gashi tha se i akuzuari Xhelal Sveçla nuk prezanton në seancën e sotme edhe pse sipas tij, përmes procesverbalit të datës 09/03/2023 ka qenë i njoftuar për seancën, por nga njoftimi zyrtar me 29/03/2023 ka lajmuar gjykatën se “me keqardhje ju njoftoi se për shkak te angazhimeve të natyrës urgjente nuk mund te marr pjesë ne seanca”.

Ndërsa, për të akuzuarin Dardan Molliqaj  për te cilin gjykata më 24 03 2023 ka leshu urdhëresë për sjellje me detyrim, gjyqtari Gashi tha se nga Policia e Kosovës më 29/03/2023 ka njoftuar gjykata se “në adresën e shënuar të dera e banesës nuk e hap askush dha nga banoret e ndërtesës jemi njoftuar se personi në fjalë nuk e kanë parë duke hyrë në banesë rreth 4/5 muaj”.

Gjyqtari Gashi po ashtu bëri të ditur se edhe ndaj të akuzuarve  Agron Kabashi, Frashër Krasniqi dhe Nol Nushi, të cilët nuk ishin prezent në këtë seancë,  gjykata ka lëshuar urdhjes për sjellje me detyrim, por që Polica  sipas tij, nuk ka arritur ta sigurojë prezencën e tyre.

Kurse, për të akuzuarit Arsim Maqastena dhe Pajtim Havollin gjyqtari Gashi tha se të njëjtit kanë qenë të njoftuar  përmes procesverbalit të seancës se kaluar  dhe se mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.

Gjykatësi Gashi njoftoi se ndaj tyre gjykata do lëshojë  urdhërarrest ose sjellje me detyrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, seanca po vazhdon me tre te pandehurit tjerë prezent në seancë Egon Azemi Pajtim Demaj dhe Afrim Hoxha, të cilët nuk janë pajtuar që të veçohet kjo procedurë, por gjykata duke u bazuar ne nenin 35 të Kodit të Procedurës Penale mori vendim dhe veçoi procedurën penale ndaj tyre.

Ndryshe, seanca e shqyrtimit fillestar për këtë rast kishte dështuar të mbahej më 9 mars të këtij viti në mungesë të të akuzuarve Dardan Molliqaj, Agron Kabashi, Egzon Azemit, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi dhe Nol Nushi.

Në këtë rast të akuzuar ishin edhe Sami Avdiu, Besnik Qelaj dhe Bekim Shkodra, mirëpo gjykata kishte veçuar procedurën penale ndaj tyre.

Ndaj Besnik Qelajt dhe Bekim Shkodrës ishte bërë edhe shpallja e aktgjykimit më 2 gusht 2022, duke u dënuar me 1 vit e gjysmë burgim me kusht për veprën penale “ Pjesmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm”.

Ndërkaq, për të akuzuarin Sami Avdiu, për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” dhe për të akuzuarin Bekim Shkodra për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, do të mbahet gjykim i veçantë.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e ngritur në mars të vitit 2014, rezulton se të akuzuar për këtë vepër penale krahas ministri Sveçla janë edhe Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj.

Sipas aktakuzës, në protestën e organizuar më 27 qershor 2013, kundër ratifikimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të akuzuarit kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera qelqi, shishe e mjete piroteknike kundrejt disa zyrtarëve policorë, ku si pasojë lëndime të lehta kanë pësuar katër policë dhe janë dëmtuar katër vetura zyrtare.

I akuzuari Bekim Shkodra po akuzohet edhe për veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës së ngritur më 14 mars 2014, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Xhelal Sveçla, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj thuhet se më 27 qershor 2013 në rrugën “Nëna Terezë” në Prishtinë, gjatë protestës me qëllim të dëmtimit të personave zyrtarë-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kanë kryer veprime të dhunshme huligane.

Gjithnjë sipas kësaj aktakuze, Sveçla dhe të akuzuarit e tjerë ngarkohen se gjatë kësaj proteste kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ku si pasojë e këtyre veprimeve, lëndime të lehta trupore kanë pësuar policët-të dëmtuarit Rifat Geci, Halil Syla, Agim Xheli dhe Bashkim Hyseni.

Sipas prokurorisë, gjatë kësaj proteste janë shkaktuar edhe dëme materiale ku janë dëmtuar uniformat dhe pajisjet zyrtare të zyrtarëve policorë gjatë ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike e po ashtu i kanë dëmtuar dy vetura, pronë e Qeverisë së Kosovës dhe dy vetura pronë të Policisë së Kosovës, duke shkaktuar kështu pasoja të rënda.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” nga neni 412, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 4 të Kodit Penal, vepër kjo për të cilën dënimi parashihet me dënimi me gjobë prej 200 deri 10 mijë euro për huliganizëm me pasoja të vogla ose me burgim deri në pesë 5 vjet burgim për huliganizëm me pasoja të rënda.

Ndërsa dispozitivi i dytë i kësaj aktakuze, Bekim Shkodrën e ngarkon edhe për veprën penale të “Sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410, paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo për të cilën kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Në trend Lajme

Më shumë
Dygjuhësia duhet të merret si avantazh, jo problematikë te fëmijët – Pervizaj flet për hulumtimet e fundit

Dygjuhësia duhet të merret si avantazh, jo problematikë te fëmijët – Pervizaj flet për hulumtimet e fundit

Elfije Boletini
Deklaratat për zgjedhje, Konjufca: Mazhoranca nuk ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje përmes dorëheqjes së Qeverisë

Deklaratat për zgjedhje, Konjufca: Mazhoranca nuk ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje përmes dorëheqjes së Qeverisë

Lajme
Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajme
IKShPK: Regjistrohen 8 raste të Kollës së mirë në Kosovë, prindërit t'i vaksinojnë fëmijët

IKShPK: Regjistrohen 8 raste të Kollës së mirë në Kosovë, prindërit t'i vaksinojnë fëmijët

Shëndetësi
RTK: Ambasadori Berishaj po intervistohet nga Prokuroria Speciale

RTK: Ambasadori Berishaj po intervistohet nga Prokuroria Speciale

Drejtësi
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori