LAJMI I FUNDIT:

Ministri Reçica kërkon zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë

Ministri Reçica kërkon zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, gjatë një takimi me inspektorët e punës i porositi ata që të jenë këmbëngulës në zbatimin e të gjitha masave të sigurisë dhe shëndetit në punë, duke zbatuar me përpikmëri të gjitha ato masa që parasheh legjislacioni në fuqi që rregullon këtë fushë.

Reçica ka kërkuar nga ata që intensifikojnë inspektimin dhe kontrollimin e kushteve dhe masave të sigurisë dhe shëndetit në punë, me theks të veçantë në sektorin e ndërtimtarisë.


“Kërkova që të jenë të pakompromis, si dhe në bashkëpunim me kompanitë të rrisin edhe përgjegjësinë e punëmarrësve dhe punëdhënësve për ngritjen e vetëdijes në aplikimin dhe respektimin e të gjitha masave të mbrojtjes dhe sigurisë në punë”, tha Reçica.

Ai tha se duke pasur parasysh numrin e aksidenteve, të atyre edhe me fatalitet, kërkoi nga Inspektorati i Punës që në ditët në vijim të rrisin numrin e inspektimeve në vendpunishtet e ndërtimtarisë anekënd Kosovës, veçanërisht në Prishtinë dhe qytetet ku sektori i ndërtimtarisë është më prezent.

“Nga inspektorët mësova se vetëm në Prishtinë janë kryer inspektime në 244 kompani të sektorit të ndërtimit. Gjithashtu Inspektorati i Punës kërkon bashkëpunim më të madh edhe nga institucionet e tjera të implikuara si dhe nga qytetarët, me qëllim të rritjes së vetëdijes”, tha ai.

Vdes një punëtor ndërtimtarie në Prishtinë, bie nga objekti në ndërtim
Lexo po ashtu Vdes një punëtor ndërtimtarie në Prishtinë, bie nga objekti në ndërtim

Kujtojmë se të shtunën, një 45-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht, pasi ka rënë nga një objekt në ndërtim në Prishtinë. /Telegrafi/