LAJMI I FUNDIT:

Minatorët e “Trepçës” takojnë ministrin Kuçi, tregojnë kërkesat e tyre

Minatorët e “Trepçës” takojnë ministrin Kuçi, tregojnë kërkesat e tyre

Sindikata e Minatorëve të Trepçës është pritur gjatë ditës së sotme nga ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi.

Kryetari i kësaj sindikate, Gani Osmani, tha se pavarësisht një proteste që është zhvilluar mëngjesin e sotëm, ky takim nuk ka pasur lidhje me të.


Në një prononcim përmes telefonit për KosovaPress, Osmani ka thënë se takimi ka qenë pas kërkesave që i janë drejtuar me shkrim kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrit Blerim Kuçi.

Ai përmendi kërkesat e tyre të mëhershme që kanë të bëjnë me beneficionet që rrjedhin nga përvoja e punës, sigurimi i punëtorëve, pensioni i përjetshëm invalidor dhe të tjera.

“Ne e kemi bërë kërkesën me herët, ja kemi bërë edhe kryeministrit, edhe ministrit të Ekonomisë, por na ka ftuar sot. Temë kryesore ka qenë çështja sociale e minatorëve të ‘Trepçës’. Ne i kemi pasur edhe disa kërkesa të tjera me herët, përvoja e punës, beneficionet, këto që s’po numërohen, që po punojmë prej pas luftës, pensionet, sigurimi i punëtorëve, pension të përjetshëm invalidor, kur po lëndohet dikush ose kur dikush tragjikisht po vdes”, ka thënë Osmani.

Gjithashtu, Osmani deklaroi se kërkesë tjetër ishte edhe marrja 70% e pagës si dhe dalja në pension të parakohshëm për disa punëtorë të “Trepçës”.

Osmani deklaroi se kërkesat të tyre me shkrim i kanë adresuar te ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi si dhe te ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

Ai tha se ministri Kuçi iu ka premtuar se do të bëjnë të pamundurën që kërkesat e minatorëve të “Trepçës” të plotësohen. /kp/Telegrafi/