"Ushqimi i sigurt nuk është privilegj, por e drejtë bazike e çdo qytetari. Secili prej nesh ka të drejtë të jetë i sigurt se ushqimi që e blen dhe konsumon është i sigurt. Pikërisht ky besim është përgjegjësia më e madhe që e sjellim si institucion", porositi drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV), Oliver Millanov në ngjarjen me rastin e jubileut – 15 vjet nga ekzistimi i AUV dhe 7 Qershorit, Ditës botërore të Sigurisë së Ushqimit.

Siç theksoi Millanov, vitin e kaluar AUV e ka rrumbullaksuar me 47.200 mbikëqyrje të zbatuara, ndërsa për shkeljet e vërtetuara ka shqiptuar 6.770 masa inspektuese.


“Nga formimi i institucionit në vitin 2011, misioni ynë ka qenë i qartë: të ndërtojmë dhe mirëmbajmë sistem efikas, transparent dhe modern për kontrollin e ushqimit, mbrojtjen shëndetësore dhe mirëqenien e kafshëve. Ky është sistem i cili tashmë 15 vite i vendosr qytetarët, prodhuesit dhe sektorin e biznesit në vend të parë, me përkushtim të ushqimit të sigurt, shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve dhe mbrojtjen e shëndetit publik”, theksoi drejtori.

Sipas tij, krahas sigurisë së ushqimit, pjesë e rëndësishme e punës së AUV është edhe mbrojtja shëndetësore dhe mirëqenia e kafshëve.

Duke iu referuar shërbimit të inspektimit, ai tha se kryen dhjetëra mijëra inspektime çdo vit, në të gjitha fazat e zinxhirit ushqimor – nga prodhimi primar i ushqimit me origjinë shtazore, prodhimi dhe përpunimi i ushqimit me origjinë shtazore dhe joshtazore, deri te shpërndarja dhe shitja.

Në vazhdimësi, shtoi drejtori, po forcohen edhe kontrollet laboratorike, programet e monitorimit të sigurisë ushqimore dhe sistemet për raportimin e shpejtë të ushqimit të pasigurt dhe për menaxhimin e riskut.

Siguria e ushqimit, tha, nuk matet vetëm përmes numrit të kontrolleve të zbatuara, por edhe përmes besimit që qytetarët e kanë në institucionet që kujdesen për shëndetin e tyre.