Mickoski pas takimit me Costan: Nuk kërkojmë privilegje, por një proces evropian të parashikueshëm dhe të besueshëm

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pas takimit të sotëm me presidentin e Këshillit Evropian, António Kosta, deklaroi se Maqedonia mbetet e përkushtuar në rrugën evropiane, por pret që procesi i integrimit të bazohet në parime, merita dhe parashikueshmëri.
Në konferencën e përbashkët, Mickoski theksoi se bisedimet kanë qenë të hapura dhe përmbajtësore, duke përfshirë të ardhmen evropiane të vendit, reformat, ekonominë, sundimin e ligjit, situatën rajonale dhe transformimin institucional.
“Ne nuk kërkojmë privilegje, nuk kërkojmë rregulla të lehtësuara dhe nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa atë që u takon edhe të tjerëve. Kërkojmë një proces kredibil dhe të parashikueshëm, në të cilin reformat, puna dhe obligimet e përmbushura do të vlerësohen realisht”, tha Mickoski.
Tutje kryeministri Mickoski theksoi se Qeveria po punon për zbatimin e agjendës reformuese, forcimin e institucioneve, stabilizimin e ekonomisë dhe tërheqjen e investimeve, por shtoi se qytetarët, pas viteve të gjata të kompromiseve dhe pritjeve, kanë nevojë për më shumë siguri lidhur me perspektivën evropiane të vendit.
Sipas kryeministrit, integrimi evropian nuk është vetëm çështje politike, por ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve përmes arsimit më të mirë, shëndetësisë më cilësore, institucioneve më efikase dhe një standardi më të lartë jetese.
“Besoj se dinjiteti, identiteti dhe qëndrueshmëria ndaj parimeve nuk duhet të jenë pengesë për perspektivën evropiane. Ato janë pjesë përbërëse e saj”, porositi Mickoski.
Ai e falënderoi Kostën për vizitën dhe theksoi se shteti do të vazhdojë me reformat dhe do të mbetet partner konstruktiv i Bashkimit Evropian, me qëllim që e ardhmja evropiane të ndërtohet mbi besimin e ndërsjellë, respektin dhe parimet e qarta.










































