LAJMI I FUNDIT:

Meta me deputetët e Bundestagut: Reforma në drejtësi, e rëndësishme

Meta me deputetët e Bundestagut: Reforma në drejtësi, e rëndësishme

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot një delegacion me deputetë nga Bundestagu Gjerman, anëtarë të Grupit të Miqësisë me vendet e Evropës Juglindore.

Meta e cilësoi vizitën si një dëshmi të marrëdhënieve intensive ndërparlamentare mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.


Kreu i Kuvendit u shpreh se “Shqipëria i vlerëson përpjekjet e Gjermanisë në përballjen me krizën e paprecedentë të lëvizjeve migratore që ka prekur Evropën, duke theksuar se sfidat e përbashkëta menaxhohen më mirë përmes një bashkëpunimi më të ngushtë mes të gjithë vendeve evropiane”.

“Duke bashkëbiseduar mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, Meta u shpreh se reformimi i sistemit të drejtësisë është kyç jo vetëm për procesin e integrimit evropian, por edhe për rritjen e besueshmërisë së Shqipërisë pranë vendeve anëtare të BE-së, si dhe ndaj investitorëve të huaj”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Ndërkohë, deputetët gjermanë rikonfirmuan mbështetjen e Gjermanisë ndaj progresit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe nënvizuan se reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme, si për rritjen e besimit të qytetarëve ndaj shtetit ligjor ashtu edhe për klimën e biznesit.

Ata vënë në dukje se zhvillimi ekonomik i Shqipërisë dhe i rajonit është shumë i rëndësishëm për Gjermaninë dhe investitorët gjermanë. /Telegrafi/